Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar atë që ai e quajti një “paralajmërim të fundit” për Hamasin për të liruar pengjet që mbahen në Gaza.

“Asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt nëse nuk bëni siç them unë“, tha Trump në një postim të gjatë në platformën e tij “Truth Social”.

Në postimin e tij në mediat sociale, Trump tha se do të kishte “ferr për të paguar” nëse pengjet nuk liroheshin, ndërsa nuk specifikoi natyrën e mbështetjes që po i jepte Izraelit. “Lërini të gjithë pengjet tani, jo më vonë, dhe kthejini menjëherë të gjithë trupat e pajetë të njerëzve që keni vrarë. Për lidershipin, tani është koha për t’u larguar nga Gaza”, shkroi Trump në rrjetin e tij social.

Gjithashtu pati edhe një kërkesë për popullin e Gazës: “Një e ardhme e bukur e pret, por jo nëse mbani pengje. Nëse e bëni, ju jeni të VDEKUR!”.

Nuk është hera e parë që Trump kërcënon Hamasin. Në Dhjetor, ai tha se lufta sërish do të shpërthejë nëse pengjet nuk do të liroheshin deri në kohën kur ai mori detyrën.

Kjo vjen pasi Shtetet e Bashkuara thyen një tabu të kahershme diplomatike duke mbajtur bisedime sekrete me Hamasin për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane të mbajtura në Gaza. I dërguari i SHBA-së për çështjet e pengjeve, Adam Boehler, bisedoi drejtpërdrejt me Hamasin, tha Shtëpia e Bardhë.

Uashingtoni deri më tani ka shmangur angazhimin e drejtpërdrejtë me grupin dhe ka një politikë të gjatë të SHBA-së kundër të paturit kontakt të drejtpërdrejtë me entitetet që i liston si organizata terroriste. Të dyja palët u takuan në Katar për të diskutuar lirimin e pengjeve amerikane si dhe një marrëveshje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës.

Grupi ushtarak palestinez muxhahedin në Gaza dënoi paralajmërimin e Trump, duke thënë se ai demonstroi qëllimin e administratës së tij “për të vazhduar si partner në krimet e gjenocidit kundër popullit”. 

Izraeli ka bërë të ditur se Hamasi mban ende 59 pengje që mbahen në Gaza, ku deri në 24 besohet se janë gjallë. Në mesin e robërve janë edhe shtetas amerikanë.

Deri më sot, roli i SHBA-së për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve ka qenë duke u marrë me ndërmjetësuesit e Izraelit dhe Katarit dhe Egjiptian, por pa ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë me Hamasin.

Faza e parë e marrëveshjes përfundoi javën e kaluar, por Izraeli ka refuzuar të ecë përpara në fazën tjetër të armëpushimit, e cila do të çonte në një fund të përhershëm të luftës dhe lirimin e të gjithë robërve.

Në vend të kësaj, qeveria e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e mbështetur nga Trump, ka kërkuar të zgjasë fazën e parë për të liruar më shumë robër pa u angazhuar për një armëpushim të qëndrueshëm.

Klan News