Palestinezët kanë ‘dënuar’ propozimin e Presidentit amerikan Donald Trump që ata të dërgohen nga Rripi i Gazës në Egjipt e Jordani. Siç shkruan Al Jazeera, ky sugjerim ka rritur shqetësimin për “shfarosjen etnike”. Të Shtunën, Trump tha për mediat se ka ardhur momenti të pastrohet Rripi i Gazës duke u bërë thirrje liderëve në Jordani e Egjipt që të strehojnë palestinezët, përkohësisht ose përgjithnjë. Autoriteti Palestinez “Ramallah” e ka cilësuar këtë deklaratë si “shkelje të vijave të kuqe”, teksa në Gaza rezidentët këmbëngulin të qëndrojnë aty.
“Ideja që ne të lëmë vendin tonë, e pamundur!”, është shprehur një prej tyre.
“Nëse do donim të iknim, do e kishim bërë kohë më parë. Lufta genocidale nuk do ia dalë kundër nesh, ne do rezistojmë pavarësisht gjithçkaje”, tha një tjetër.
Ata theksojnë po ashtu se nuk do lejojnë përsëritjen e katastrofës Nakba, të 1948-ës dhe 1967-ës.
Ndërkohë Hamasi, tha se administrata e Trump duhet të heqë dorë nga ky propozim, duke shtuar se është shkelje e të drejtave të palestinezëve, të cilët kanë qëndruar në tokën e tyre që prej nisjes së luftës në Tetor 2023. Ndërsa Jihad, një tjetër organizatë që ka qëndruar krah Hamasit për 15 muaj tashmë, i quajti “krime lufte” sugjerimet e Trump.
Reagimet e deritanishme pas propozimit
Ministri i Jashtëm i Jordanisë Ayman Safadi ka deklaruar se “ky refuzim nga ana e palestinezëve është diçka e pandryshueshme” dhe se do punojë me administratën e Trump për njohjen e këtij shteti sovran.
Edhe Senatori i lartë Republikan Lindsey Graham e kundërshtoi këtë ide.
“Nuk është praktike dhe nuk besoj që vendet arabe do e pranojnë”, tha ai.
‘Pak shpresë në horizont’
Propozimet e Trump vijnë një javë pas marrëveshjes Hamas-Izrael për shkëmbimin e njerëzve. Pas shumë përpjekjesh, më në fund, mijëra palestinezë po rikthehen në veri të Gazës. Lajmi është raportuar mëngjesin e kësaj të Hëne, teksa në pamjet e bëra publike shihen turma të tëra që kalojnë “Korridorin Netzarim”, pa u ndeshur me postblloqe apo të shtëna armësh. Izraeli kishte vënë kusht lirimin e një civili izraelit të quajtur Arbel Yehud. Ndërkohë sipas Hamasit, ai do lirohej vetëm pasi të liroheshin 30 të burgosur të Palestinës. Megjithatë, duket se ka pak “shpresë” për normalizim të situatës.
/tvklan.al