Ka shkaktuar reagime një deklaratë e Presidentit amerikan Donald Tramp, ku propozon që banorët e Rripit të Gazës të shpërngulen në vendet fqinje si Jordania dhe Egjipti, për t’i shpëtuar krizës së gjithanshme të shkaktuar nga lufta izraelite.
Në një regjistrim zanor të një bisede me gazetarët gjatë fluturimit me avionin presidencial “AirForce One”, pyetjes nëse zhvendosja do të jetë e afatshkurtër apo afatgjatë, shefi i Shtëpisë së Bardhë i përgjigjet duke e lënë mundësinë të hapur.
“Mund të jenë të dyja, mund të jetë e përkohshme ose një rrugëtim i gjatë. Atje pothuajse çdo gjë është e shkatërruar, njerëzit po vdesin, ndaj dhe preferoj të angazhohem me disa vende arabe për t’u ngritur banesa diku tjetër që të jetojnë në paqe.”
Deri më tani, Uashingtoni ka kundërshtuar zhvendosjen e detyruar të palestinezëve. Ndërkaq, ushtria izraelite ka ndaluar prej të shtunës rikthimin në veri të Rripit të Gazës të mijëra palestinezëve të shpërngulur, duke krijuar një varg të madh njerëzish që duket në këto filmime.
Vendimi erdhi pasi Hamasi nuk liroi të shtunën një peng të 5-të sipas marrëveshjes, të cilin tha se do e lironte javën tjetër. Në kundërpërgjigje, qeveria izraelite nuk tërhoqi një grup ushtarësh me shërbim pikërisht në zonën e bllokuar.
Tv Klan