Ekspertët dhe punonjësit e pushuar nga Departamenti i Arsimit në SHBA ngrenë alarmin se me lëvizjet e fundit të qeverisë amerikane do të preken negativisht studentët.

Departamenti i Arsimit luan një rol të rëndësishëm rregullator në shërbim të studentëve, nga ata me aftësi të kufizuara e deri tek fëmijët nga familje me të ardhura të ulëta dhe të pastrehë.

Gjithashtu menaxhon afërsisht 1.5 trilionë Dollarë kredi studentore të marra borxh nga rreth 40 milionë huamarrës. Po ashtu, mbikëqyr një program ndihme për studentët nën një prag të caktuar të ardhurash për familjet në nevojë dhe administron huatë federale me kosto të ulët për studentët.

“Studentët që po aplikojnë për ndihmë financiare në kolegj, jo vetëm në Çikago, por në mbarë vendin, nuk do të marrin informacionin që u nevojitet për të vendosur se cilin kolegj do të ndjekin ose si. Kjo administratë ka pushuar qindra njerëz që e bëjnë këtë punë”, shprehet ekspertja e arsimit Sheria Smith.

Të martën, departamenti largoi nga puna rreth 1,300 punonjës, duke shkurtuar gati gjysmën e stafit. Gjatë fushatës elektorale Presidenti Trump kishte premtuar ta mbyllte Departamentin e Arsimit, duke e cilësuar atë si të infiltruar nga “radikalët, fanatikët dhe marksistët”.

Mbyllja e tij do të nënkuptonte transferimin e këtyre detyrave tek një agjenci tjetër. Eleminimi i plotë i departamentit, do të kërkonte miratimin e Kongresit.

Klan News