92 deputetë të mazhorancës dhe opozitës bashkuan votat në Parlament pro marrëveshjes për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, 500 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në Itali dhe rreth 4 mijë italianë me leje qëndrimi në vendin tonë, do të përfitojnë nga skema e pensioneve, duke mos humbur asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku kanë punuar.
Gjatë seancës parlamentare të së enjtes, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shpjegoi edhe objektin e kësaj marrëveshje.
“Janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë. Përfitimet nga skema italiane përfshijnë sigurimin e përgjithshëm të detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar; trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar në sektor të ndryshëm dhe trajtimin e ndarë të këtij sigurimi të përgjithshëm të detyruar; sigurimin për sëmundjet ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrëlindja; sigurimi i papunësisë dhe skemat e posaçme zëvendësuese dhe të veçanta të sigurimit të krijuara nga kategori të caktuara punonjësish”.
Ministri u shpreh se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 Qershor.
Marrëveshja për njohjen e pensioneve parashikon që periudha e sigurimit e realizuar në njërin shtet të njihet edhe nga shteti tjetër, me kusht që të mos mbivendosen. Çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet.
Që prej vitit 2005, Shqipëria ka nënshkruar me 15 vende marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore.
Ndërkohë pritet firmosja edhe me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Në proces janë edhe dy marrëveshje me Poloninë e Serbinë.
Dakordësi për fillimin e negocitave kanë shprehur vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa me Francën palët kanë përparuar për fillimin e negociatave.
Tv Klan