Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një deklarate për media ka shpallur një vizion ambicioz për sektorin energjetik të Shqipërisë.
Berisha theksoi se energjia nga era, dielli dhe gazi do të dyfishojë prodhimin aktual brenda mandatit të ardhshëm, duke e kthyer Shqipërinë në një nyje kryesore energjetike në rajon.
Lideri i demokratëve theksoi se Shqipëria do të bëhet një superfuqi rajonale energjetike.
“Shqipëria Madhështore do të jetë Shqipëria e bumit të madh energjetik. Do të jetë Shqipëria e investimeve madhështore në energjetikë. Unë jam këtu për të garantuar qytetarët shqiptarë se prodhimi i energjisë nga era, dielli dhe gazi, me përparësi prodhimin e energjisë së rinovueshme, do të dyfishojë prodhimin total të sotëm gjatë mandatit që vjen. Parqet eolike, parqet solare do të marrin një përparësi absolute. Shqipëria ka ndër platformat e erës më të fuqishme në Europë.
Këto platforma shtrihen nga thellësitë e Alpeve në jugun e vendit. Zona të mëdha mund të prodhojnë me mijëra megavatë në energji eolike. Por dielli është një burim i pashterrshëm dhe unë garantoj qytetarët shqiptarë që Shqipërinë do ta shndërrojmë në vendin më tërheqës në Europë për investimet në fushën e energjisë. Dhe përfituesit më të mëdhenj të këtij bumi në prodhimin energjetik do të jenë qytetarët shqiptarë, do të jetë biznesi shqiptar, do të jetë Made in Albania, prodhimi shqiptar.
Do të përdoren të gjitha potencialet ujore, në përputhje ne rregullat rigoroze të mjedisit, për të shndërruar në energji ujërat që derdhen të fjetura në det. Do autorizohet ndërtimi i mikrohidrocentraleve për të prodhuar nga fshatra, nga komunitete, nga lagje, energji falas për veten e tyre. Këto burime fantastike, këto burime të mëdha, të pashtershme energjie do ta bëjnë Shqipërinë një ndër nyjet më të fuqishme energjetike, një superfuqi rajonale energjetike”, tha Berisha./tvklan.al