#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Bleona Metushi, Merin Maçi, Eni Ferhati, Armand Bajrami

BleonaMetushi #ArmandBajrami #EniFerhati #MerinMaçi #RayyanAlëan #DeFadiAlëan #vrasjaepalestinezes

Emisioni “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e kësaj të mërkure i referohet tre ngjarjeve më të rëndësishme të opinionit publik. E para lidhet me vrasjen misterioze të 24-vjeçares palestineze Rayyan Alwan. Fillimisht u dyshua se ajo u vra nga bashkëshorti i saj, por më vonë hetimet e autoriteteve shqiptare thonë se në fakt ajo është vrarë nga babai i saj 49-vjeçari De Fadi Alwan. Trupi i pajetë i palestinezes u gjet disa ditë më vonë. Ndërkohë që sipas autoriteteve 49-vjeçari u largua fillimisht në Greqi e më pas në Holandë. Palestinezët mbërritën në vendin tonë më 19 Shkurt përmes aeroportit të Rinasit nga Gjermania. Fillimisht u mendua se ata erdhën në Shqipëri për pushime. Ngjarja e dytë që diskutohet në emisionin “Opinion” është përgjimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga SPAK, ku mendohet se ka qenë një operacion i tërë për të korruptuar Gjykatën Kushtetuese për të marrë një vendim i cili do të zhvlerësonte përgjimet e ‘SkyECC’ dhe EncroChat në raport me paditë penale. Gjithashtu brenda tyre ka pasur dhe shkëmbim tjetër të Nuredin Dumanit dhe grupit të tij.

“Dukeshin mjaft të dashuruar”, pse palestinezët babë e bijë u prezantuan si çift

Ngjarja e ndodhur në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë 1 javë më parë është e mbuluar me mister, megjithatë detajet e zbuluara deri më tani janë tronditëse. Babë e bijë Fadi Alwan dhe Rayyan Alwan, janë prezantuar si çift që nga momenti që kanë zbritur në Aeroportin e Rinasit e deri te takimi me pronaren e apartamentit që kanë marrë me qira. “Nga sjellja e tyre, dukeshin si çift në harmoni dhe mjaft të dashuruar”, tha gazetari Merin Maçi sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan.

Është krejtësisht e paqartë se pse 49 vjeçari e ka goditur me thikë 24 vjeçaren, ndërsa në mediat e huaja është folur edhe për përdhunim para aktit të rëndë.

Duhet theksuar se ka një hetim paralel edhe për dokumentet e tyre të identifikimit. Siç bëri me dije Maçi, ata kanë pasur një kartë identiteti greke dhe një pasaportë kosovare (me shumë gjasa false). Dy palestinezë që jetonin në Berlin kishin prerë biletën vetëm ‘vajtje’ për në Shqipëri, pa rezervuar më parë për një vendqëndrimi.

Misteri i vrasjes së palestinezes, u godit 3 herë me ashpërsi! Plaga, e thellë 15 cm  

Emisioni “Opinion” u mundua të hedhë dritë mbi misterin e vrasjes së palestinezes 1 javë më parë në Tiranë. Gazetari Merin Maçi tregoi nga studio të gjithë itinerarin që babë e bijë, Fadi dhe Rayyan Alwan, ndoqën si dhe mënyrën si u gjet viktima e pajetë.

Komunikimi i fundit i Alwan-ëve me pronaren e shtëpisë që kishin marrë me qira ishte kur i kërkonin një çarçaf. Kjo ka ndodhur më 21 Shkurt.

Mirëpo disa ditë më vonë, djali që i ka pritur në Tiranë babë e bijë, ka kontaktuar me pronaren e banesës, ku është interesuar nëse çifti i kishte vënë në dispozicion mjetin identifikues. Kur kanë mbërritur në godinë ai ka qenë bashkë me pronaren e banesës, e cila i ka pohuar se nuk ka pasur më asnjë komunikim prej tyre.

E zonja e shtëpisë ka pohuar se ka pasur disa mesazhe në aplikacionin WhatsApp me numrin që ishin kontaktuar fillimisht, por më vonë nuk shkonin mesazhet. Duke parë këto rrethana, ata kanë vendosur që të hyjnë në apartament dhe fillimisht nuk kanë parë asnjë gjë të çuditshme.

Dyshimet janë shtuar kur kanë konstatuar të kyçur një dhomë të apartamentit. Djali që ka bërë pritjen fillestare të palestinezëve e ka hapur forcërisht derën dhe e ka gjetur të mbuluar me çarçaf 24-vjeçaren. Aty ata kanë konstatuar që dhoma vinte erë, që do të thotë se trupi i të resë kishte nisur të dekompozohej. Pas kësaj menjëherë është bërë njoftimi i policisë.

Kur kanë shkuar, autoritetet kanë konstatuar tre plagë, një në kurriz, një poshtë shpatullës dhe një në fund të barkut. Por sipas asaj që ka mësuar gazetari Maçi, ekspertiza mjekoligjore ka vënë re se e reja është qëlluar me ashpërsi pasi plaga ka qenë e thellë rreth 15 centimetra.

“Ajo që vihet re nga ekspertiza mjekoligjore duket se ka pasur një ashpërsi në goditjen që ajo ka pësuar pasi plaga ka qenë e thellë rreth 15 centimetra”, tha gazetari.

Hetimi i anëtarëve të GJK, gazetari: Mazhoranca do e përdorë si “gur” ndaj SPAK

Sipas gazetarit Eni Ferhati, hetimi që SPAK ka kryer ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me shumë gjasë do të përdoret si “gur” i mazhorancës ndaj SPAK. Kjo nisur nga pretendimet e fundit të forcës qeverisëse, e madje vetë kryeministrit Edi Rama, se ka raste kur Prokuroria e Posaçme nuk zbaton standardet demokratike europiane. Ferhati shtoi se hetimi ndaj gjyqtarëve ka nisur me disa informacione të bëra publike në media.

“Është pak e çuditshme që të vijosh me veprime proaktive, ndërkohë që nuk rezulton që emri i zotit Gent Ibrahimi të ketë qenë pjesë e procedimit penal të regjistruar. Hetimi ka nisur vetëm me disa informacione të bëra publike në media dhe kjo i konvenon pretendimeve të fundit të mazhorancës”, u shpreh ai.

Kujtojëm se edhe mbrëmjen e së Martës, gazetari Flamur Vezaj tha se anëtarët e Kushtetueses janë përgjuar nga oficerët e policisë pranë SPAK për 15 ditë. Kjo për shkak se ishte vonuar zbardhja e vendimit të kësaj Gjykate lidhur me rrëzimin e kërkesës së Pëllumb Gjokës, duke legjitimuar bisedat Sky ECC si prova në gjykatë.

Palestinezja e vrarë në Tiranë, nënë e dy fëmijëve! Trondisin informacionet që vijnë nga Gjermania

Një 24-vjeçare palestineze u gjet e vrarë 1 javë më parë në Tiranë. Ngjarja është e mbuluar me mister pasi personi që e shoqëronte Rayyan Alwan ishte babai i saj, Fadi. Ky i fundit është larguar nga vendi dhe dyshohet se është autori i vrasjes me thikë të vajzës së tij.

Policia shqiptare në bazë të hetimeve i është drejtuar autoriteteve gjermane për informacione pasi rezultoi se numri që kanë përdorur babë e bijë për të rezervuar biletat online ishte në pronësi të një shtetasi gjerman.

Por të dhënat që vijnë nga Gjermania janë vërtetë tronditëse. Fadi Alwan është ndarë me mamanë e 24-vjeçares prej disa kohësh. Ndërkohë vetë viktima një vit më parë e kishte denoncuar nënën dhe babain se ishte dhunuar nga ata. Shkak ishte bërë fakti që ajo nuk ishte praktikante e rregullt e fesë islame.

“Zyrtarisht ka mbërritur një informacion ku është krijuar një profil sa i takon 49-vjeçarit. Është një person që ka qenë më parë i martuar me nënën e 24-vjeçares. Një vit më parë po viktima ka denoncuar në policinë gjermane se është dhunuar nga dy prindërit e saj Fadi Alwan dhe nëna e saj për shkak të problemeve në familje. Jetonin në Berlin të Gjermanisë. Sipas argumentit që ajo ka dhënë ky dhunim lidhet me faktin që ajo nuk ishte një praktikante e rregullt e fesë islame”, tha gazetari Merin Maçi gjatë emisionit “Opinion”.

Ndërkohë gazetarja Bleona Metushi shtoi se Rayyan Alwan kërcënohej jo vetëm nga prindërit, por edhe nga vëllezërit. Ajo donte të bënte një jetë të lirë, por siç duket familjarët, të cilët jetojnë në Berlin, nuk kanë qenë dakord me këtë. Po sipas autoriteteve gjermane, 24-vjeçarja ka qenë e martuar dhe kishte edhe dy fëmijë në Liban aty ku jeton ish-bashkëshorti i saj.

“Sipas informacioneve vajza në Janar të 2024 ka denoncuar në policinë gjermane se kërcënohej nga i ati, dy vëllezërit e saj dhe mamaja për shkak se ajo donte të jetonte një jetë lirë dhe demokratike. Ata nuk ishin dakord me zgjedhjet që ajo kishte bërë. Si duket hetimet janë orientuar drejt kësaj piste. Familjarë të tjerë të vajzës jetojnë në Berlin. Policia gjermane i ka sjellë autoriteteve shqiptare informacion se 24-vjeçarja rezulton të jetë e martuar dhe e divorcuar gjithashtu dhe, bashkëshorti i saj jeton në Liban bashkë me fëmijët e tyre”, raportoi gazetarja Metushi.

“Këshilltarë të 2 grupeve kriminale”, bisedat e zakonshme që “fundosën” 3 policët

3 ditë më parë, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 shefa policie. Bëhet fjalë për Shkëlzen Ruska (Komisariati Himarë), Ervis Alisinanaj (Komisariati Lushnje) dhe Elvis Dervishi (shef i Policisë kufitare Sarandë). Ata dyshohen se janë përfshirë në trafik droge, ndërsa gazetari Armand Bajrami deklaroi këtë të Mërkurë në “Opinon” se “ky rast ka zbuluar edhe një herë inkriminimin e segmenteve të caktuara të Policisë së Shtetit.”

Sipas tij, për rastin ka pasur dy hetime paralele të Prokurorisë së Posaçme që në vitin 2022.

“Një hetim që kishte nisur në bazë të të dhënave të ardhura nga Sky ECC të sjella nga Europol dhe një hetim tjetër, me diferencë 6 muaj, bazuar një referimi të Policisë së Shtetit”, u shpreh Bajrami.

Po si janë “zbërthyer” bisedat?

“Është bërë përmes bisedave që ata kanë pasur me njëri-tjetrin. Nga gjëra krejtësisht të zakonshme, përshembull një foto dogane, një nga personat e grupit kriminal i thotë një tjetri po kaloj në doganë. Është verifikuar që pas 45 minutash ai ka kaluar në Qafë-Morinë. Apo kur merr mesazhin e ngushëllimit për babain. Në këtë lloj forme ka dalë gjithë tabloja, edhe pse deri në këto momente prezumohen të pafajshëm, ku 3 zyrtarë policie dhe 1 ish-zyrtar ishin këshilltarë të dy grupeve kriminale. Duke u treguar se si të vepronin, duke i mbajtur të informuar me operacionet policore në Sarandë”, shpjegoi ai.

Kujtojmë se rasti ka të bëjë me goditjen e një grupi kriminal në Sarandë që kultivonte kanabis dhe më pas e trafikonte drejt Greqisë. Në lidhje me ngjarjen është arrestuar edhe një person tjetër, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë ndër të tjera dhe punonjës policie në Drejtorinë e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit.