Ky është 23-vjeçari sirian Farhan al-Khouli, i cili zgjodhi të mos luftonte kundër rebelëve ndonëse duhej të ishte në krye të detyrës si ushtar.
Ai shpjegon se ishte i keq paguar dhe i demoralizuar nga shërbimi në ushtri dhe për këtë jep edhe arsyet. Në njësinë ushtarake ku ai shërbente duhej të kishte 9, ushtarë por ishin vetëm 3 pasi shumë kishin korruptuar komandantët për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak.
Për vite me radhë, rebelët islamikë të Hayat Tahrir al-Sham qëndronin prapa vijës së frontit aty pranë, pasi lufta e gjatë civile e Sirisë ishte ngrirë. Të mërkurën, më 27 nëntor, komandanti i tij e merr në telefon për t’i thënë se një kolonë rebele po shkonte drejt tij. Komandanti dha urdhër se njësia duhej të luftonte dhe të rezistonte kundër rebelëve.
Por në vend të kësaj, Khouli mbylli telefonin u vesh me rroba civile, hodhi armën dhe u largua. Teksa ecte përgjatë rrugës së kthimit në jug grupe të tjera ushtarësh po braktisnin gjithashtu pozicionet e tyre. Ai shpjegon se kurrë nuk ka patur dëshirë t’i bashkohej ushtrisë.
“Në momentin që më thirrën për të shërbyer në ushtri u shqetësova. Nuk doja të shkoja. Kisha vendosur që nuk doja të shkoja në ushtri. Ka pasur disa rrethana që më kanë detyruar të shkoj, kundër dëshirës sime. Punoja, në një servis makinash. U detyrova të shkoja në ushtri, nuk kisha zgjidhje tjetër. Ose të shkoja në ushtri, ose të shkoja në burg, një nga të dyja.”
Ai u thirr në shërbimin e detyrueshëm 18-mujor në moshën 19-vjeçare, pasi kishte paguar një oficer për të vonuar shërbimin e tij për një vit. Kur i mbaroi periudha e shërbimit, ai u urdhërua të qëndronte në ushtri për një kohë të pacaktuar. Ai dezertoi, por më vonë u kap nga një patrullë, u fut nëburg për 52 ditë dhe më pas u dërgua në njësinë e largët ushtarake pranë qytetit Idlib.
“Për ata që ishin me mua në ushtri, nuk di më asgjë për ta. Të gjithë shkuan në drejtime te ndryshme.”
Ushtari sirian përshkruan trajtimin e keq nga oficerët, duke përfshirë caktimin e punës së rëndë fizike për të bërë gërmime dheu në mot kohe të nxehtë dhe të ftohtë.
“Më thoshin të bëja një bunker, por nuk kishte dritë. Komandanti solli makinën dhe na kërkoi të punonim duke përdorur dritën e makinës.”
Gjatë kohës në ushtri ai paguhej 40 dollarë në muaj. Racionet e ushtrisë shpesh grabiteshin para se të mbërrinin. Ndonjëherë e gjithë paga e tij shkonte për të blerë më shumë ushqime.
“Ne merrnin ushqime, por ato vidheshin dhe ne kurrë nuk merrnin gjë. Ajo çfarë na jepnim ishte një tas me ushqim të gatshëm i cili zgjaste 4 deri në 5 ditë. Çdo person merrte racionin e tij, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’u ngopur”.
Ai kujton momentin kur vendosi të largohej dhe të mos luftonte kundër rebelëve.
“Policia ushtarake qëndronte në autostradë. Ushtarin që iku, e arrestuan. Isha në kërkim për një zonë ku mund të gjeja makinë, njerëz. Më të shkoja në Homs. Betohem për Zotin, 30 kilometra ecje, rreth dy orë e gjysmë ecje. Më thërritën dhe më thanë kthehu-kthehu. Unë u thashë që nuk do të kthehem. Çfarëdo që të ndodhë, le të ndodhë.”
Në pak se dy javë, rebelët do të futeshin në kryeqytetin Damask, duke rrëzuar ish-presidentin Bashar al-Assad ndërsa ushtria e tij nuk ekzistonte me. Përplasja i dha fund papritur një konflikti 13-vjeçar që kishte vrarë qindra mijëra njerëz. Ish-ushtari sirian shprehet se është i lumtur me punën e re dhe se nuk ka frikë nga regjimi i ri.
“Tani jam rehat dhe shumë i lumtur, mendërisht, fizikisht,moralisht dhe financiarisht. Gjithçka, jam shumë rehat. Jam shumë rehat në kuptimin e fjalës.”
Gazetari: Nuk ke frikë?
“Aspak nuk kam frikë. Përkundrazi, jam i lumtur. Jam shumë i lumtur. Nuk kam frikë fare. Jam i qetë, jam shumë rehat. “
Gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters, folën me një sërë burimesh, duke përfshirë dy dezertorë të ushtrisë siriane, tre oficerë të lartë të Sirisë, dy komandantë të milicisë irakianë që punojnë me ushtrinë siriane, një zyrtar sigurie dhe një zyrtar nga grupi libanez Hezbollah, një nga anëtarët e Assad-it.
Informacionet e siguruara nga këto burime dhe dokumentet e inteligjencës të gjetura nënjë zyrë ushtarake të braktisur në kryeqytet demonstrojnë në mënyrë të detajuar gjendjen në të cilën ishte ushtria e Assad-it, strukturën komanduese të saj dhe korrupsionin.
Që nga fillimi i luftës në vitin 2011, komanda e ushtrisë së presidentit Bashar Al Assad kishte filluar të varej nga forcat aleate iraniane, libaneze dhe irakiane për të siguruar njësitë më të mira luftarake në Siri, thanë burimet për agjencinë e lajmeve Reuters.
Më e rëndësishmja, shumica e strukturës së komandës operacionale të ushtrisë siriane drejtohej nga këshilltarët ushtarakë iranianë dhe aleatët e tyre të milicisë, tregojnë ata.
Por shumë nga këshilltarët ushtarakë iranianë ishin larguar këtë pranverë pas sulmeve ajrore izraelite në Damask, dhe pjesa tjetër u larguan pas rënies së regjimit të Assad.
Luftëtarët dhe komandantët e Hezbollahut ishin larguar gjatë muajit tetor për t’u fokusuar në luftën e përshkallëzuar në Liban me Izraelin.
Qendra e komandës dhe kontrollit qendror të ushtrisë siriane nuk funksionoi më mirë jo vetëm për shkak të largimit të oficerëve iranianë dhe të Hezbollahut, por edhe sepse ushtrisë i mungonte një strategji mbrojtëse, veçanërisht për qytetin e dytë të Sirisë, Aleppo.
Nga ana tjetër, rebelët në veriperëndim, numerikisht shumë më pak se ushtria, kishin kaluar vite duke u konsoliduar nën një dhomë të vetme operacioni që koordinonte grupet dhe njësitë e tyre në betejë, sipas një raporti te Grupit Ndërkombëtar i Krizave.
Të lumtur për rënien e Assad-it nuk ishin vetëm sirianët që jetuan nën atë regjim, por edhe ata jashtë vendit.
Pak orë pasi rebelet morën kontrollin e vendit disa politikanë gjermanë u shprehën se ishte koha që miliona sirianë që kishin krijuar jetën në Gjermani, që nga lufta e 2015-ës, të konsideronin kthimin në shtëpi.
Por disa prej tyre që kanë ndërtuar jetën e tyre në Gjermani nuk kanë ndërmend të kthehen.
Punëdhënësit, sindikatat dhe shoqatat e biznesit tani theksojnë se sa shumë nevojiten sirianët në një ekonomi gjermane që përballet me mungesa të fuqisë punëtore.
Një prej tyre është Sandy Issa, një gjinekologe 36-vjeçare në një klinikë në Berlin, e cila mbërriti në Gjermani në vitin 2014.
“Është shumë herët për të folur për kthimin në Siri pas rënies së Assad-it, sepse shumë sirianë as që e kanë menduar kthimin në Siri, madje edhe për një vizitë. Padyshim që ne e kemi ndjenjën e mallit, mungesën e atdheut, familjes. Mendimi i parë për të gjithë sirianët është të shohin përsëri vendin e tyre.”
Mjeku tjetër me origjinë siriane Faisal Shehadeh punon në Hanau, jashtë Frankfurtit.
41-vjeçari erdhi në Gjermani në vitin 2006 për t’u bërë mjek ortoped.
I pyetur nëse po mendonte të kthehej një ditë në vendin e tij të lindjes, Shehadeh përgjigjet.
“Familja ime është këtu, fqinjët, miqtë, kolegët e punës, fëmijët e mi që shkojnë në shkollë këtu. Kjo e bën vendimin jo aq të lehtë. Por shumë (sirianë) tani duhet të mendojnë në muajt e ardhshëm. Ata duhet të pyesin veten “si mund të jem më i dobishëm për Sirinë?”
Megjithatë, një gjë është e qartë për të: 8 dhjetori, dita kur presidenti Assad u rrëzua, “ishte dita më e bukur në jetën e tij”.
“Ende nuk mund ta besoj se kemi një atdhe, një atdhe të lirë. Ua kam thënë vazhdimisht kolegëve të punës, miqve dhe familjes se ajo ishte dita më e bukur në jetën time.”
Vendimi i ish-kancelares Angela Merkel në vitin 2015 për të mirëpritur mbi një milion azilkërkues kryesisht nga Siria ngjalli debat në Gjermani dhe u kritikuar shumë. Që atëherë, Gjermania ka pranuar gjithashtu më shumë se 1.2 milionë refugjatë nga Ukraina, ndërsa ekonomia e saj pritet të tkurret në vitin 2024 për të dytin vit radhazi,.
Çështja e emigracionit renditet si shqetësimi i dytë më urgjent i gjermanëve përpara zgjedhjeve federale në shkurt 2025, pas ekonomisë.
Me synimin për të penguar mbështetjen e së djathtës ekstreme, politikanët gjermanë kanë propozuar madje të paguajnë për fluturimet e sirianëve në shtëpi. Ndërkohë, kërkesat për azil nga sirianë janë në pritje.
Ndërsa konservatori Friedrich Merz, ka thënë se rënia e Assad mund të jetë një mundësi për sirianët që të kthehen.
Klan News