Sipas ekspertëve, “shpresa e fundit” e Europës për siguri qëndron te kryeministri britanik Keir Starmer. Kjo sepse ai ka shprehur vendosmëri për të ndihmuar Ukrainën, por edhe për të biseduar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, deri në arritjen e një konsensusi. Këtë gjë e tregoi me thirrjen e samitit në Londër, fill pas tensioneve në Shtëpinë e Bardhë.
Profesori Anthony Glees shprehet për Mirror Uk, se Trump në fakt do paqe. “Në zemrën e tij, ai do paqe. Prandaj bën përpjekje, sepse nëse lufta në Ukrainë merr përmasa më të mëdha politike, atëherë duhet ndërhyrja e SHBA-së, gjë që direkt do çonte në Luftë të 3-të Botërore.”

Ai beson se nëse nuk arrihet dakordësia Rusi-SHBA, lufta në Ukrainë do vijojë derisa Zelensky të mposhtet dhe Rusia do e zgjerojë agresionin e saj. “Më pas do të kemi përmbysje në Mbretërinë e Bashkuar, sulme kibernetike dhe inkursione ushtarake konvencionale, ndoshta edhe sulme paralajmëruese këtu dhe në Francë”, tha ai. Nëse Putin nuk e fiton këtë luftë, ai parashikon që do përdorë fuqinë bërthamore.

Nga ana tjetër, Profesori i njohur në Universitetin e Bradford Paul Rogers beson se lufta në Ukrainë do marrë fund me një kompromis, me Zelensky-n që do i ofrojë tokë Putinit.
“Nuk do ketë fitues në këtë mes! Megjithatë, duhet të jemi gjithnjë të shqetësuar kur vjen puna te armët bërthamore, 80 vitet e fundit kemi qenë më me fat se çfarë e kishim menduar.”
Rory Cormac, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se “fundjava ishte e tmershme, madje surreale.”
“Praktikisht, qeveria amerikane po bënte papagallin e propagandës ruse e më e rëndësishmja po kërkon të veprojë në bazë të interesave të Putinit. Nuk mendoj që Lufta Botërore është afër, por nëse ndodh, ngrihen pikëpyetjet se në anën e kujt do qëndrojë SHBA.”

Pas mbledhjes së 18 liderëve europianë në Londër, ekspertët janë të mendimit se ndodhemi në një “udhëkryq historik”, gjë që mund të pasohet me një marrëveshje të rrezikshme të Presidentit rus Donald Trump me atë rus Vladimir Putin. Starmer ka konfirmuar se Britania e Madhe dhe Franca do udhëheqin një “koalicion”, si forma e vetme për t’i dhënë fund luftës.
Në samitin e Londrës, Starmer tha se “Europa duhet të mbajë një peshë të madhe”, por e bëri të qartë se mbështetja e amerikanëve është e domosdoshme për të stopuar Rusinë e sidomos për të parandaluar një luftë globale.
E.D/tvklan.al