Kryeministri Edi Rama, teksa ndodhet në Berat për të prezantuar kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste për këtë zonë, ka ironizuar gjithashtu opozitën dhe premtimet e saj.

Rama u shpreh se kur nuk ke gjë në dorë, mund të premtosh gjithçka. Ai radhiti premtimet e tipit: pensionet deri në 400 euro apo dhe pagat deri në 1000 euro, të propozuara këto nga forcat politike opozitare.

Ironi erdhi dhe për Lulzim Bashën, me të cilin kryeministri ka pasur prej dy ditësh interaktivitet, duke reaguar për njëri-tjetrin në rrjete sociale.

“Luli p.sh., thotë do ju heq vizat amerikane, e ai i ka treguar qe i heq. Problemi është se nuk ka gjë në dorë”, u shpreh Rama për Bashën.

Sakaq, Rama i mëshoi e një herë rëndësisë së procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke thënë se nuk mund të humbasi asnjë minutë, pasi çdo gjë është e paracaktuar se çfarë agjende do ndiqet.

Kur s’ ke gjë në dorë, mund t’i premtosh të gjitha, se nuk do të vijnë ndonjëherë. Luli p.sh., thotë do ju heq vizat amerikane, e ai i ka treguar qe i heq. Problemi është se nuk ka gjë në dorë. Këta tregojnë se do i bëjnë pensionet 400 euro, rrogat 1000 euro. Patjetër. Patjetër. Unë habitem pse thonë 2000, se mos do provohet ndonjëherë a e bëjnë a s’e bëjnë. Pensionet 400 euro po pse aq pak, më shumë. As nuk do e bësh ndonjëherë, thuaj 500″.

“Por rrinë aty si me demek, që e kemi bërë ne me, e kemi llogaritur me ekspertët tanë, një grup të rinjsh, që kanë ardhur. Kot. Shitës qilimash. Blej ti qilimin tim se do të të çojë në hënë, merr atë qilimin atje se do të të çojë në Mars, s’të çojnë asgjëkundi. Zero. Zero, zero, zero. Asgjëkundi. Nuk mund të humbi ne asnjë minutë, e nuk mund të çorientojmë gjithë procesin e negociatave, qoftë e për dy muaj, e për tre muaj se ikën… Kemi kalendarin javë për javë, e të gjitha punët janë aty të shkruara që duhet të mbarojnë, e të gjithë negociatat të mbyllen në 2027”, tha Rama./tvklan.al