Miratimi i Paketës së Maleve javën e shkuar nga Parlamenti dhe dhënia e ok në seancën e djeshme për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit janë nismat më të fundit të qeverisë që synojnë mbështetjet e bujqësisë dhe agroturizmit, nisma që Kryeministri i ka diskutuar me përfaqësuesit e këtyre sektorëve në një takim të zhvilluar në Kuçovë.
Rama ka shpjeguar kategoritë e përfitueseve nga Paketa e Maleve.
“Kemi bërë një ligj të posaçëm, që cilido që do të investojë në tokën e vet, mund ta bëjë thjeshtë me një dëshmi të konfirmuar nga këshilli bashkiak”, shprehet Rama.
Numri i përfitueseve nga Paketa e Maleve është i kufizuar dhe për ta parashikohen lehtësira fiskale.
“Janë 500 të parët që përfitojnë nga 10 vjet pa taksa. Vetëm një TVSH 6% edhe 10 vjet pa taksa”, deklaroi kreu i qeverisë.
Ndërsa një tjetër ndihmë për sektorin më pak të kredituar, atë të bujqësisë vjen përmes fondit prej 250 milion Euro që Banka e Shqipërisë lëvroi në muajin Janar për kredi të buta që pas vendosjes së garancisë sovrane që do të prezantohet në Qershor, do ta uli interesin për përfituesit në 2 përqind.
“Me 2%, kredi me 2% është vërtet fantastike me 70 % të garancisë mbi kolateralin, që është prapë diçka që juve ju bën shumë punë dhe këtë e kam si mesazh për të gjithë ata që kanë akoma dyshime”, shprehet Rama.
Lidhur me ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit Kryeministri shpjegon se është një tjetër derë për investimet në sektorët që bankat e nivelit të dytë ngurojnë të japin kredi.
“Ajo do të jetë prapë një bankë që ekzaktësisht do të shërbejë për të mbështetur zhvillimin”, thekson Rama.
Rama garanton se e ardhmja e turizimit brenda pak vitesh do të jenë zonat malore të vendit.“
“Miniera e të ardhurave do jenë malet. Të rritet cilësia e shërbimeve atëherë këtu do bëhet nami, nami”, thotë lideri socialist.
Tv Klan