Nga Kuçova, ku u takua me me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të zonave rurale, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka përparuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar objektivin për t’i mbyllur negociatat brenda vitit 2027.
“Ne negociatat i kemi filluar vjet, arsye se pse jemi në vijën e parë bashkë me Malin e Zi, është se kemi punuar për të qenë gati për këtë ditë. Nuk ka rëndësi se këta na thonë jo, jo, jo, për ne ka rëndësi që Komisioni Europian, Qeveria e Bashkimit Evropian që merret me fakte thotë: Po Po”, u shpreh Edi Rama.
Mbylljen e negociatave, Rama e cilësoi vendimtar.
“Momenti i mbylljes së negociatave është kur ti mbyll një provim që ka të bëjë me shtetin. Ata nuk i mbyllin negociatat me një vend që ka probleme të shtet funksionimit në tërësi”, tha kreu i qeverisë.
Foli edhe për skeptikët për Bashkimin Europian.
“Vetëm duke hyrë në BE, ky popull do të shpëtojë njëherë e mirë nga persekutimi i historisë dhe nga rreziku i kthimit pas”, tha Rama.
Kryeministri informoi bizneset mbi dy linjat e reja të financimit për zhvillimin rural, kredinë e butë dhe garancinë sovrane, të cilat do të lehtësojnë aksesin në financa të sipërmarrësve të vegjël e të mesëm në fshat.
“Është një instrument krejt i ri i Bankës së Shqipërisë, nuk e ka bërë kurrë më parë, duke vendosur 250 milionë Euro në shërbim të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe me fokus tek bujqësia”, shtoi kryesocialisti.
Ai ndau edhe një moment gjatë një vizite në Zvicër.
“Më ka bërë përshtypje në Zvicër ku një vaj ulliri i prodhuar në Shqipëri me një shishe të vogël kishte një çmim 5-6 herë më të lartë se tregu”, tha kryeministri Rama.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek eksportet ku theksoi se synojmë të shkojmë në 1 miliardë Euro.
“Ne kemi tejkaluar gjysmë miliardin e eksporteve që dukej e pamundur kur kemi marrë detyrën, por që të shkojmë në 1 miliardë eksporte siç është ambicja jonë duhet të rrisim vlerën”, tha Rama.
Nuk munguan as batutat me fermerët:
Qytetari: Atëherë Tropoja s’ka ça pret më.
Rama: Tropoja priti shumë gjatë derisa e kuptoi, tani që e ka kuptuar ka mbaruar ajo punë. Tani Tropoja vetëm përpara.
Qytetari: Të falenderoj për mbështetjen.
Rama: Kur të kam takuar për herë të parë ishe me xhup blu. Sot je tjetër.
Klan News