Kreu i qeverisë, Edi Rama, i shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, ndodhen për inspektim në kantierin e rrugës Berat Ballaban. Kjo rrugë lidh 3 bashkitë Berat-Përmet-Tepelenë, duke rritur kështu mundësinë e zhvillimit turistik në këto zona.
Me praninë e punëtorëve dhe disa familjarë të zonës, ishte Balluku e cila mori fjalën e para dhe prezantoi punimet e bëra deri më tani për këtë kantier. Ajo sqaroi se punimet kanë nisur nga ura e Ballabanit, nga ku kanë ecur deri në 67%. Sakaq, zv.kryeministrja tha se ekziston mundësia që punimet e këtij aksi të mbyllen deri në dhjetor të këtij viti.
“Jemi nisur nga ana e Tepelenës. Pra, kemi nisur nga ura e Ballabanit. Atje ecuria është 67% sot që flasim. Ndërkohë në lotin e dytë është diku në të njejtën ecuri, pra rreth 30% është atje, e 27% është këtu. Ka shumë mundësi që ta mbyllim brenda vitit, deri në dhjetor”, tha Balluku.
Sakaq, kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo u shpreh me humor se “Berati, nga ajo që i thoshin xhep, do bëhet kuletë”, duke i mëshuar në këtë formë ndryshimeve që po ndodhin në zonë, të cilat do ndikojnë pozitivisht në ecurinë e saj.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Balluku, dha detaje të mëtejshme lidhur me punimet e bëra, teksa sqaroi se gjatësia e plotë e segmentit është 60 km dhe i përket kategorisë F urbane/interurbane.
“Gjerësia e saj nga bankina është nga 3 metra, secila, e dy anësorët janë nga 0.75. pra nga një metër e gjysmë janë dy bankinat anësore. Është kategoria F, urbane/interurbane, dhe ndërkohë gjatësia e plotë e gjithë segmentit është 60 km”, tha Balluku.
Duke analizuar peizazhin e zonës, kryeministri Rama u shpreh se është e përshtatshme për agroturizëm, një sektor ky që ai i kushton rëndësi në programin e tij.
“E shikoj, e qëndisur komplet, komplet, e bukur. Fantastike. Për agroturizëm këtu është komplet…fantastike”, tha Rama.
Në fund, Balluku tregoi dhe disa nga vështirësitë që kanë hasur me punime, por që lidheshin vetëm me kushtet atmosferike, e shtoi se tashmë që moti do të jetë më i ngrohtë në vijim e me më pak reshje, do të ecin më shpejtë punimet.
“Tani do ecim e më shpejt, sa të sistemohet pak çështja e motit. Këtu ka pasur shumë baltë, prandaj dhe ne e kapëm kantierin nga sipër, sepse poshtë ishte goxha baltë akoma”, u shpreh Balluku./tvklan.al