Anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda 2030, Kryeministri prej dy muajsh tashmë përsërit se është një ekskluzivitet i tij dhe Partisë Socialiste. Edhe këtë të martë në komunikimin “Sy m’Sy” me ndjekësit e tij, Rama ka siguruar se ky hap hidhet vetëm nëse ai merr një mandat të 4-të për të qeverisur në të kundërt procesi nuk do të ketë më një datë të saktë.

“O e fus unë dhe PS Shqipërinë në BE dhe e bëjmë tani në mandatin e katërt, o kjo punë mund të mos bëhet për kushedi sa vjet të tjera, dëgjoje nga unë me vëmendje sepse këtu ishte Shqipëria, aty ishte BE dhe kur ne morëm detyrën, nuk na hidhte njeri sytë, or ti djalë”, shprehet Rama.

Por në prezantimin e kandidatëve të Bashkisë së Beratit, Rama foli dhe për një rrezik tjetër që i kanoset vendit nëse nuk voton PS.

“Vjen burri i huaj i vë flakën një redaksie gazete, rreh rrugëve dhe i le për të vdekur njerëzit që mendojnë ndryshe, hap dritaren e zyrës, gjuan dhe vret protestues. Kjo mund të ndodhë prapë”, tha Rama.

Gjithsesi në Berat dhe në të gjithë vendin Rama e di se çfarë do të marrë opozita në 11 Maj.

“Ne duhet t’u prezantojmë atyre Noc Rrokun në 11 Maj që kur ta shohin Nocin të thonë, sa e ke hapur atë gojë. Noci është diçka shumë e madhe që do marrësh, që kur ta shohin, ta hapin gojën trefishin e atij. Hap kuti e dil Noc”, tha Rama.

Dhe këtë sipas tij e di dhe vetë Berisha kur hartoi listat e kandidatëve për deputetë që edhe pse u bënë primaret kandidatët më të votuar nuk u përfshinë në to.

“Pseudoprimaret, votuan, nxorrën dhe kandidaten më të votuar në të gjithë Tiranën dhe në fund, tak e hongri bufi. Po shihja listën e Beratit. Ku është Tomor Alizoti të paktën në krahasim me ça pashë te lista. M’u duk sikur kishin hequr ndonjë çmim Nobel. Selamiu ishte tërhequr nga koalicioni madhështor”, tha Rama.

Kryesocialisti duket i kënaqur me numrin që Partia Socialiste do të ketë në fletët e votimit aq shumë sa e ka shënuar dhe në pëllëmbën e dorës numrin pesë.

“Ajo pesa më pëlqeu shumë se është tamama pesë me një”, tha Rama.

Tv Klan