Kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk i negocion parimet e tij dhe pozicionin e qartë të Partisë Socialiste për të mbrojtur standardet.

“Unë nuk i negocioj as idealet e mia pse kam dalë për ta përmbysur atë sistem ku vendoste Sigurimi i Shtetit dhe ku vendosnin këto lloj metodash, nuk i negocioj as parimet e mia dhe nuk e negocioj as pozicionin e qartë të PS. PS e ka në ADN e vet luftën për të bërë shtet dhe qasjen për të sakrifikuar për të bërë shtet, e ka dhe në ADN mbrojtjen e standardeve”, tha Rama.

Ai përmendi numrin e të paraburgosurve në Shqipëri, të cilën e konsideron si tmerr. Si rast mori edhe shembullin e gardianëve të burgut të Peqinit.

“E dini sa e kemi ne paraburgimin? E dini sa ka sot në Shqipëri njerëz në burg pa gjyq? 61%! 61% është tmerr dhe këtu nuk është SPAK aktori kryesor, por ama SPAK duhet të ketë parasysh që është lideri në frymë dhe shumë mirë që është se prandaj është vënë atje Prokurori Speciale dhe pastaj ndodh siç ndodhi me burgun e Peqinit, me punonjësit e policisë të burgut të Peqinit. I gjithë turni u mor dhe u arrestua, u paraburgos. Pse? Hëngrën kokat atje me njëri-tjetrin dy të burgosur të përjetshëm dhe u mor gjithë turni. Po ça janë këta? Këta janë prindër. Këta janë punonjës të shtetit. Këta janë njerëz që nuk marrin rroga nga 10 mijë Euro. Këta atë rrogë kanë, shkojnë në shtëpi te fëmijët e vet. Ti i merr dhe i fut në burg. Po ça prove ke ti që këta kishin lidhje me këtë. Jo, të rrijnë një herë këtu se do i gjejmë provat. Ça do gjesh ti? Edhe neutralizon një turn komplet? Ku do i gjejë shteti, punonjësit e tjerë që do rrinë atje të zëvendësojnë këta që shpejt? Si do i gjejë shteti? E dini ju çdo person që futet atje i kushton taksapaguesve. E dini sa është shuma që paguan buxheti për të mbajtur gjithë këta të paraburgosur? Është më mirë mos ta them, më mirë mos ta dëgjoni”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, krijon dyshimin e arsyeshëm që ka një shkelje të rëndë të balancës. Ai tha se SPAK duhet ta bëjë punën e tij, por sa kohë nuk ka një aktakuzë me të pandehur, nuk ka arsye pse kryeqyteti të rrijë pa kokë.

“Unë jam këtu dhe nga këtu nuk lëviz sepse e shoh të pamundur që të lëviz nga ky pozicion dhe PS nuk ka si lëviz nga ky pozicion dhe kjo nuk është çështje personi e përsërit. Ajo që kam thënë është shumë e qartë, e kam shkruar. Kush do të lexojë të lexojë. Këtu nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni që ka një aktakuzë dhe ka një të pandehur. Sa kohë nuk ka një aktakuzë me një të pandehur, atëherë këto gërmimet e kryera në jetën e kryetarit të bashkisë me bashkëshorten e tij mund të vazhdojnë. S’ka asnjë problem, por nuk ke pse e merr tjetrin dhe e çon në burg duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokë.  Jemi përpara një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm që ka një shkelje të rëndë të balancës. Bëje punën tënde, por të bëjë dhe tjetri punën e vet dhe pastaj nëse puna jote të nxjerr në konkluzionin që duhet të shkojë në burg, çoje në burg. Është shumë herët për të dalë në përfundime”, u shpreh Rama./tvklan.al