Sinodi i Shenjtë zgjodhi këtë të dielë Imzot Joan Pelushin, si Kryepeshkopin e ri të Kishës Ortodokse Autoqefale.

Ai do të pasojë Anastas Janullatosin, i cili e udhëhoqi Kishën Ortodokse të Shqipërisë për 32 vite. Mësohet se më 29 Mars do të mbahet ceremonia e fronëzimit të tij.

“Me thirrjen e Shpirtit të Shenjtë sipas kanoneve të shenjta dhe statutit të Kishës Ortodokse të Shqipëri, duke paraqitur votat tona kanonike mbi tryezën e shenjtë kemi zgjedhur mitropolitin e Korçës, Hirësinë e tij, imzot Joanin kryepeshkop të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë”.

Vetë kryepeshkopi i ri u shpreh se do ta zbatojë me devotshmëri  

“Me përulësi duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time priftërore. Do të respektoj kanonet e shenjta dhe traditën e shenjtë dhe do të përpiqem me gjithë forcën time të mbroj të drejtat e Kishës”, tha ai.  

Kryepeshkopi i ri, Joani

Kush është Kryepeshkopi i ri, Joani?

Hirësia e tij Joani, me emrin e lindjes Fatmir Pelushi, është një figurë e njohur në Kishën Ortodokse Shqiptare.

Ai ka kryer studimet në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë në Boston, SHBA, ku u diplomua me gradën “Master of Divinity”.

Studimet në SHBA u mundësuan falë një burse të ofruar nga shqiptarët në Amerikë, në kujtim të Peshkop Fan Nolit.

Pas përfundimit të studimeve, Joani u rikthye në Shqipëri, ku Kryepeshkopi Anastas e caktoi si pedagog dhe dekan në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Ai shërbeu gjithashtu në disa zona të tjera brenda Kishës. Në 18 korrik 1998, Joani u zgjodh si Mitropoliti i Korçës dhe u fronëzua më 20 korrik të po atij viti./tvklan.al