Qytetarët e Dibrës pritën dy ditë më parë me këngë dhe valle hapjen e tunelit të Murrizit.
Lumturisë së hapjes së këtij tuneli nuk i shpëtoi as kryeministri Edi Rama, i cili në Facebook tha se më në fund “u çlirua nga një makth”.
Edhe këtë të diel ai ka shpërndarë pamje nga momenti i hapjes së tunelit dhe komentet e qytetarëve.
“Dhe me zërin e qytetarëve, jo vetëm të Dibrës, për Tunelin e Murrizit që na e mori shpirtin derisa e lidhëm krejt si duhej Rrugën e Arbrit, ju uroj të diel të paqtë”, shkruan Rama.
Ndërkohë qytetarët shprehen se me hapjen plotësisht të Rrugës së Arbrit është plotësuar një ëndërr shekullore.
“Sot u plotësua ëndrra shekullore e dibranëve”.
“Jemi shumë të kënaqur”.
“Kënaqësi që u hap, shyqyr që ia arritëm kësaj dite”.
“Jemi shumë të lumtur, çdo gjë është super, kryevepër”.
“Nuk ndihmon vetëm Dibrën e Klosin, por tërë Shqipërinë. Unë jam nga Tepelena iki për në Dibër të Madhe kështu që na ndihmon të tërë. Faleminderit”!
“Nuk e di më vjen me qajt çfarë kanë bërë. Bënim 3 orë e gjysmë rrugë dilnim Rrëshen, Burrel, Klos. Tani gjysmë ore. Tre orë shpëtuam. Po dibranët? Kanë shkurtuar 4 orë dibranët e ti themi faleminderit Belindës e Edi Ramës 100 herë”.
“I kemi vënë emrin Rruga e Arbrit sepse është rruga për të gjithë shqiptarët, është rruga që lidh Tiranën me Dibrën. Është rruga që lidh Maqedoninë me Shqipërinë, është rruga që lidh shqiptarët me komunitetet tjera në Ballkan”.
Hapja e Tunelit të Murrizit shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit mes Tiranës dhe Dibrës.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Në tunel është bërë një dopio-izolim për siguri, ka ndriçim, sinjalistikën e duhur si dhe 11 nyje lidhëse me tunelin e emergjencës./tvklan.al