Kombinimi i përgjimeve nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe bisedat në aplikacionin Sky ECC kanë arritur të bindin SPAK se Behar Bajri, Safet Bajri dhe Astmer Bilali janë të përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit në 2018-ën.

Sipas SPAK, vrasja është planifikuar nga Behar Bajri, i cili përgatiti konfliktin mes Astmer Bilalit dhe Ibrahim Licit. Me këtë të fundit ai flet në telefon me zë të lartë, gjatë kohës që ishte me njerëz të tjerë në tavolinë. Kjo bisedë sipas dosjes së SPAK kanalizohet nga Behar Bajri në mënyrë që njerëzit rreth tij të dëgjojnë bisedën, ku Ibrahim Lici shprehet se Astmer Bilali i ka vjedhur rikat një personi.

Pasi krijohet konflikti, Safet Bajri thërret Astmerin për të shkuar në Tiranë. Kur mbërrin atij i tregohet për faktin që Ibrahimi e ka quajtur atë hajdut dhe aty nis debati në telefon mes tyre me tone të larta, me akuza për vjedhje dhe tradhti mes tyre. Pas kësaj bisede SPAK deklaron se Safet Bajri dhe Astmer Bilali janë nisur për në Shkodër ku kanë ekzekutuar Fatbardh Licin teksa pinte kafe.

Për hetuesit, kjo vrasje u krye jo vetëm si hakmarrje e vrasjes së Boran Bërçanës dhe partneres së tij Silvi Ndoci, por edhe për shkak të konflikteve për zotërim të territorit ndërmjet dy familjeve, familjes “Bajri” dhe familjes “Lici”, që veprojnë dhe kanë aktivitete në qytetin e Shkodrës.

Në dosje evidentohet se vrasja e xhaxhait të Ibrahim Licit u krye pasi vetë Ibrahimi ishte objektiv i vështirë për t’u arritur. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Behar Bajri përpiqet t’ia hedhë fajin personave të tjerë për vrasjen, sjellje që përsëritet edhe për vrasjen e Gjin Boriçit dy vite më vonë. Vrasjen e këtij të fundit tenton t’ia atribuojë Ibrahim Licit si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e xhaxhait.

Klan News