Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është shprehur i trishtuar nga tragjedia në diskotekën në Koçan. Ai tha se kjo është ditë e rëndë për Maqedoninë. Sipas kreut të qeverisë së RMV, shumica e viktimave ishin të rinj.

“Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë! Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme, dhe dhimbja e familjeve, njerëzve të dashur dhe miqve është e pamatshme. Në këto momente trishtimi të thellë, mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Të lënduarve ju uroj shërim të shpejtë, ndërsa familjeve të të ndjerit forcë për ta përballuar këtë humbje të paimagjinueshme”, ka shkruar kryeministri Hristijan Mickoski në Facebook.

Kryeministri Mickoski u bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të marrin masa urgjente për të ndihmuar të lënduarit dhe për të mbështetur familjet e prekura.

Ai paralajmëroi se gjatë ditës do t’i drejtohet opinionit me më shumë informacione për hapat e ndërmarrë.

“Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie. Gjatë ditës, pas shqyrtimit të rrethanave pranë institucioneve kompetente, do t’i drejtohem publikut me më shumë informacion për hapat e ndërmarrë. Në këto momente trishtimi të thellë, kur zemrat tona janë thyer me dhimbje për shkak të kësaj tragjedie të tmerrshme, bëj thirrje për unitet, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi”, thotë Mickoski.

Edhe presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova ka shprehur keqardhjen për tragjedinë në Koçan. Ajo vizitoi disa të lënduar të shtruar në Ohër duke iu uruar atyre shërim të shpejtë.

Kryetarja e shtetit, njoftoi se Bullgaria dhe Serbia kanë ofruar ndihmë për autoritetet shëndetësore. Të njëjtën gjë e bëri edhe kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një postimi në rrjetet sociale.

Sipas informacioneve zyrtare, nga zjarri në diskotekën në Koçan kanë humbur jetën 51 persona dhe mbi 100 persona janë lënduar./tvklan.al