Rasti i 17-vjeçares në qytetin e Durrësit e cila ndërroi jetë si pasojë e meningjitit akut, ishte pa dyshim një lajm tronditës. Marrë shkak nga kjo shumë njerëz kanë shprehur shqetësimin për qarkullimin e kësaj sëmundjeje.

Duke u shprehur ngushëllimet familjarëve të së resë, epidemiologu Ilir Alimehmeti nga studioja lëvizëse e “Aldo Morning Show” sqaroi publikun sa i përket sëmundjes. Sipas tij raste të tilla janë shumë të rralla, por nga ana tjetër dhe shumë serioze.

Ilir Alimehmeti: Për sa i përket meningjitit, ka shumë arsye në vetvete që të vijë, bakteriale, virale ,e arsye të tjera me radhë. Supozohet, sepse ISHP-ja nuk ka dalë për të parë se çfarë lloj meningjiti është, por duke parë anën klinike si është prezantuar e me radhë. Mendohet me të drejtë që mund të jetë një meningjit bakterial. Po të shqetëson, kam pasur telefonata që thonë ‘ore a është shqetësuese’, plasi meningjiti vërdallë.

Aldo: Aq më tepër që shoqërohet lajmi se janë marrë nën kontroll 100 persona që kanë pasur kontakt.

Ilir Alimehmeti: Ajo është pjesë normale e protokollit, nuk është shqetësim. Në radhë të parë si Europa në total, por dhe ne i ngjajmë asaj, ka çdo vit rreth 0.6 raste për 100 mijë banorë ose 6 për 1 milionë. Që do të thotë jemi 2 milionë ne, maksimumi 12 raste në vit dhe vdekshmëria është pak a shumë 15%. Po të shihni lajmet, vit për vit kemi raportuar. Çdo vit kemi pasur raste në zona të ndryshme. Këto janë baktere që ndodhen në fytin dhe hundën e personave, shumë persona i kanë këto dhe nuk i shkakton asgjë. Në ndonjë rast të rrallë shkojnë dhe bëjnë këto forma, këto sëmundje, por janë raste të rralla fatmirësisht. Janë raste të rralla, por serioze. Duke qenë sëmundja shumë e rrufeshme është një risk që mund të infektohet  persona të kontaktit shumë të ngushtë, familjarë apo personeli mjekësor që është marrë me të dhe për këta patjetër që ekziston një vaksinë, për njerëzit e kontakteve shumë të ngushta. Megjithatë duke qenë shumë e rrallë ata me të vërtet mund të ekspozohen, por jo se zhvillojnë sëmundje. Kështu që është e rëndësishme që t’i qetësojmë njerëzit, sepse këto janë ato streset që na lindin ne përditë./tvklan.al