Washingtoni e quan “retorikë papërgjegjshmërie” vendimin e Moskës për të ndryshuar doktrinën bërthamore. Sekretarja për shtyp e Pentagonit, Sabrina Singh tha për mediat se vendimi i Putin nuk i habit, pasi këtë qasje e ka që prej më shumë se dy vitesh luftë në Ukrainë.
Zëdhënësja e Pentangonit sqaroi se leja për të përdorur artilerinë amerikane me rreze të gjatë veprimi kundër territorit rus ishte e nevojshme t’i jepej Ukrainës si kundërpeshë për përforcimet që ushtria ruse ka marrë me trupa nga Koreja e Veriut. Sipas Pentagonit në këtë moment nuk ka asnjë shenjë që tregon se Rusia ka ndërmend t’i përdorë armët bërthamore kundër Ukrainës dhe se NATO nuk ka asnjë qëllim të kryejë sulme kundër Rusisë.
Këtë të Mërkurë, presidenti Joe Biden aprovoi një kërkesë tjetër të Kievit, atë për furnizimin me mina amerikane anti-njeri. Përdorimi i tyre ndalohet nga konventat ndërkombëtare pasi ato përbëjnë kërcënim për jetët e banorëve për një kohë të gjatë edhe pas arritjes së paqes.
Eksperienca ka treguar se viktima të gjymtimit të tyre bien edhe fëmijët, por Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk janë firmëtare të këtyre konventave. Minat amerikane megjithatë, funksionojnë me bateri dhe kanë periudhë të kufizuar aktiviteti nga 2 orë deri në 2 javë, afat pas të cilit nuk shpërthejnë më.
Tv Klan