Shoqata për Autonominë Vendore shprehu shqetësim për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj duke e konsideruar të papranueshëm ndalimin e një të zgjedhuri vendor pa akuzë të qartë dhe një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në një deklaratë zyrtare, shoqata e konsideron të paprecedentë ndalimin e një të zgjedhuri vendor pa një vendim të plotfuqishëm, apo pa u gjetur në kushtet e flagrancës.
Shoqata thekson klimën e krijuar në institucionet e qeverisjes vendore, ku nga raportimet e vazhdueshme të kryetarëve të bashkive konstatohet një qasje e pabalancuar dhe shpeshherë intimiduese nga ana e zyrtarëve të SPAK ndaj përfaqësuesve të pushtetit vendor.
“Është e papranueshme që për çdo hetim të merren masa paraprake që kufizojnë lirinë e një kryetari bashkie, pa një akuzë të qartë dhe një vendim gjyqësor që e justifikon këtë veprim”, thuhet në reagim.
Tv Klan