Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj do të mësojë të enjten në orën 10:00 nëse do të lirohet apo do të vijojë të qëndrojë në qeli. Ky ishte vendimi i marrë nga gjyqtari Engert Pëllumbi në seancën që zgjati më shumë se tri orë.
Në ditët e dytë të seancës gjyqësore trupa gjykuese ka dëgjuar palën mbrojtëse përfshirë vetë kryebashkiakun Veliaj.
Mësohet se kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar provat e reja nga SPAK, me pretendimin se Prokuroria e Posaçme ka përgjuar një muaj bisedat familjare që sipas tij kanë të bëjnë me intervistat në media.
“Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit ‘prova të reja’. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK? Por, ju keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen, interesimin tim për intervista në televizionet kryesore. Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milion njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjete sociale”, ka thënë Erion Veliaj.
Nga ana e tyre, prokurorët e SPAK, nuk kanë ndryshuar qëndrim, duke kërkuar që kryebashkiaku të qëndrojnë në të njëjtën masë “Arrest në burg”. Në krahun tjetër, pala mbrojtëse kërkoi zbutjen e masës së sigurisë duke ofruar edhe garanci pasurore. Sipas avokatëve, kryebashkiaku “nuk ka rrezik për prishje provash apo largim nga vendi”.
Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Klan News