Zëri i Kryeministrit në disa gjuhe europiane në këtë video përshëndetëse për Panairin e Turizimit në Berlin ku Shqipëria ka vendin mikpritës të nderit, është krijuar me Inteligjencë Artificiale por çdo pamje është ajo që ofron në realitet vendi ynë, që të thërret për të shijuar me të gjitha shqisat.
Mes 190 vendeve pjesëmarrëse dhe 5600 ekspozuesve, Shqipëria do të jetë në qendër të vëmëndjes globale e perzgjedhur si vendi i nderit.
Ajo do të jetë e përfaqësuar nga tur-operatorë dhe hotelierë, ekspertë të fushës së turizmit të cilët nga data 4 deri në datën 6 Mars në panele diskutimi dhe një sërë aktivitetesh do të prezantojnë nën logon “All Senses” përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik tërheqëse dhe gjithnjë dhe më e vizituar.
Fjalën e tij në konferencën për shtyp që i paraprin ceremonisë zyrtare të çeljes se panairit, Kryeministri e nis me ndryshimin e qasjes së artikujve të gazetës gjermane Bild për Shqipërinë.
“Është kënaqësi e madhe të citoj këtu një prej organeve më të madhe të shtypit në Gjermani, BILD, që jo shumë larg në të shkuarën na rezervonte artikujt jo fort të këndshëm, shkruan që Shqipëria nuk është ndër destinacionet me të njohur, por pritet të bëhet një cep i nxehtë për ata që duan diellin dhe plazhin në 2025-ën”.
Edhe vetë turistët gjermanë që kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit, i sheh si dëshmi se vendi ynë po shkon drejt një turizmi të qëndrueshëm.
“Disa vjet më parë dikush më tha se dita kur turist gjerman do të vijnë në Shqipëri do të jetë momenti kur progresi juaj do të jetë i pakthyeshëm sepse turistët gjerman janë ata më kokëfortët, së pari të kuptojnë se ku po shkojnë, Por pastaj në momentin që vijnë vazhdojnë të qëndrojnë si një dëshmi shumë shumë e fortë e ndryshimit. Praktikisht jemi shumë të lumtur të shohim shifrat e rritjes të ardhjes së turistëve gjerman. Nga rreth 120 mijë disa vjet më parë në 374 mijë vitin e kaluar. Sigurisht ne jemi mjaft ambicioz për të marrë gjithmonë e më shumë turistë gjermanë”.
Ai është ndalur dhe te shifrat e turizimit në tërësi dhe siguron se nuk është e pamundur që Shqipëria të jenë një vend me reputacion turistik edhe më të mirë se Zvicra pasi të ofron shumë më shumë se ajo për pasuritë natyrore që ka.
“Për disa vjet tashmë mbetemi në treshen kryesore në Kartën e Organizatës Botërore e të Turizmit, bashkë me Katarin dhe Arabinë Saudite si destinacioni me rritjen më të shpejtë. Ne s’kishim as Kupën e Botës as Mekën, po ti përjashtoja mund të themi që ne jemi të parët. Shqipëria ka për këdo një vend. Është një vend shumë i vogël, por ndryshe nga Zvicra është më i larmishëm. Ne do të jemi të pakrahasueshëm herët më shumë se sa vonë, sepse kemi Zvicrën, kemi Mesdheun, kemi gjithçka që do një qënie njerëzore dhe e kemi në një distancë shumë të shkurtër, 28 mijë km, por me larminë më të madhe; kemi 2 dete, 9 lumenj, shumë male, shumë lugina, shumë liqene dhe po kështu si qershia mbi tortë, kemi shqiptarët. Dhe nuk jemi të mërzitshëm asnjëherë si zviceranët”.
Një gazetari izrealit që e pyet nëse mund të bëhet Greqi e re, Shqipëria, sa i takon ofertës turistike, i rendit disa avantazhe që kemi krahasur me shtetin fqinj.
“Në qoftë se doni të ndjeheni siç ndihet Zoti, ejani në Shqipëri në qoftë se doni të shkoni në një vend ku mendoni që edhe shoferët e taksive janë perëndi shkoni në Greqi, por në qoftë se doni të ndjeheni kësisoj, ejani në Shqipëri dhe presim me padurim që të kemi sa më shumë hebrenj në Shqipërinë. E dimë që për ne është dashuri, për ju është edhe para, por më mirë ejani në Shqipëri. Do të kurseni më shumë sesa në Greqi dhe do të keni gjithçka keni në Greqi me shumë pluse të tjera”.
Kryeministri flet dhe për projektin e hapjes së një aeroporti sezonal në Gjirokastër, përveç atij ndërkombëtar të Vlorës.
“Po planifikojmë një aeroport të katërt në skajin më jugor praktikisht përballë Korfuzit, sepse ka shumë mbingopje të aeroportit të Korfuzit dhe kemi kuptuar që ka një nevojë dhe kërkesë mjaft të madhe për të pasur një aeroport të vogël sezonal në skajin jugor. Nga ana tjetër, jemi në bisedime me aviacionin federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pasur fluturim të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së shpejti shpresoj shumë do të kemi edhe Katar Airëays, po kështu kemi fluturime edhe nga Emiratet dhe Arabia Saudite”.
Edhe organizatorët e Panirit të Berlinit folën për eksperiencën që provuan vitin e shkuar në Shqipëri si një vend që ofron shumë për të gjithë shijet e turistëve.
“Shqipëria ka një rritje mbreslënëse prej 36 %. Vitin e shkuar e vizitova Shqipërinë dhe pashë që është një vend me një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe kam besim që ka ende shumë për të parë dhe zbuluar për të”, tha Norbert Fiebig, Presidenti i Shoqatës Gjermane të Udhëtarëve.
“Ishte një qëndrim kaq i bukur dhe e di që duhet të kthehem dhe të qëndroj më gjatë që të përjetoj dhe peisazhin e bukur dhe zonat e trashëgimisë e resortet e reja. Por ju më thatë një fjalë dhe jo vetëm ma thatë por e ndjeva vërtetë. Thatë: ALBENITI kombinim i përsosur i Albania dhe hospitality mikëpritjes. Dhe në fakt mund ta ndjesh me të gjithë shqisat siç thoni ju”, theksoi Mario Tobias, drejtor i Messe Berlin.
Moto e panairit të këtij viti është “Bota e udhëtimit jeton këtu’.
Vitin e ardhshëm vendin e nderit në Panairin e Berlinit do ta kenë Maldivet.
Tv Klan