Një deklaratë e presidentit ukrainas për mediat ndërkombëtare se fundi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës është larg, i ka dhënë sërish jetë dramës Trump-Zelenksy, akti i parë i së cilës u luajt të Premten e shkuar në Shtëpinë e Bardhë. Në të parin reagim për Ukrainën që pas atij debati, presidenti amerikan e akuzoi sërish homologun ukrainas se nuk do që lufta të marrë fund.
“Kjo është deklarata më e keqe që mund të bënte Zelensky, por Amerika nuk do ta durojë për shumë kohë! Ky djalë nuk dëshiron të ketë paqe për sa kohë që ka mbështetjen e Amerikës. Dhe vetë Europa, në takimin që patën me Zelenskyn, deklaroi prerazi se nuk mund ta bëjnë punën pa SHBA-në”.
Reagim i menjëhershëm edhe nga presidenti ukrainas, por me tone më të buta. Sipas tij është shumë e rëndësishme që Ukraina të krijojë diplomaci “përmbajtësore” për “t’i dhënë fund kësaj lufte”.
“Po punojmë së bashku me Amerikën dhe partnerët tanë europianë dhe shpresojmë shumë për mbështetjen e SHBA-së në rrugën drejt paqes. Paqja është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”.
Trump i vazhdoi sulmet e tija sërish, teksa gjatë një deklarate nga Shtëpia e Bardhë tha se Zelensky duhet të jetë më mirënjohës për Amerikën, pasi ajo i ka dhënë më shumë Ukrainës sesa Europa.
Të Hënën, kryeministri Keir Starmer i tha parlamentit se “puna për paqen duhet të vazhdojë me forcë”. Britania, u tha ai deputetëve, do të luajë një rol udhëheqës, përfshirë dislokimin e trupave dhe aeroplanëve. Ndërkohë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se incidenti në Zyrën Ovale ishte një kurth i planifikuar paraprakisht.
Tv Klan