Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani, duke thënë se po e mbajnë në burg pa fakte konkrete.
“Pasi u procedova me letrën anonime të Nesti Angonit, pasi u shpalla “i dënuar” që në faqe të parë, dhe pasi u parashtruan “krimet” që variojnë nga lodrat e djalit, te fushata në Rrogozhinë e Kavajë, dhe nga statuset e Facebook-ut tek ato në Instagram, lind pyetja:Po në burg pse jam? Thosh edhe Kafka te “Procesi”, mirë që jam fajtor pa faje e pa fakte, po dënimin pa gjyq pse? Tre janë faktorët që duhet të ketë parasysh Gjykata: rreziku i ikjes, prishja e provave dhe rrezikshmëria shoqërore”.
Sipas Veliajt, ai u arrestua vetëm në bazë të dyshimeve, për të cilat prokurori kërkon 27 vite burg, ndërkohë që mund të ishte hetuar edhe në gjendje të lirë, pasi kishte treguar se nuk kishte rrezik për arratisje, pavarësisht se prokurori kishte shkruar se “mund të arrihet në përfundimin logjik ligjor, në formën e mundësisë së arsyeshme mbi mundësinë reale të ikjes nëse nuk ndërhyhet për të caktuar një masë shtrënguese për këtë shtetas”.
“Meqë Olsi do kërkojë 27 plus vite burg, më duhet të burgosem që pa nisur gjyqi fare. Po unë isha në Gjermani në ditën e bastisjes dhe u ktheva menjëherë! Udhëtova edhe 2 herë në SHBA në 30 dhjetor dhe 20 Janar dhe u ktheva sërish. Ku është rreziku? Ku është arratisja? A nuk do mjaftonte masa e mbajtjes së pasaportës, që edhe ikja nga Olsi e Bani të mos cënohej, por edhe unë të vazhdoja punët për Tiranën, që s’duhet ndalur asnjë moment”.
Veliaj shpjegon se dyshohet nga prokurori Ols Dado se ka konsumuar 9 herë veprën penale të “Korrupsionit Pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurëve vendor”, kryer në bashkëpunim, duke filluar që nga viti 2004, në moshën 25-vjeçare në bashkëpunim me persona që ai thotë se as i ka njohur atëherë dhe as kishte parashikuar që do i njihte në të ardhmen.
Por Veliaj thekson se mbetet i vendsour për të hedhur dritë për akuzat e ngritura kundër tij.
Tv Klan