Një student i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, dega Mekanikë e Impianteve Industriale dhe Bujqësore, është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop” për një ankesë lidhur me lëndët që po zhvillohen.

Studenti shprehet se po zhvillojnë lëndë që s’kanë lidhje me degën ku studiojnë dhe pedagogët nuk janë për këtë degë. Në vend të mësojnë për makinat po mësojnë për shtëpitë e për ndërtimet.

Studenti: Jam drejtuar te emisioni juaj, pasi dua të ngre një shqetësim lidhur me lëndët, që po mësojmë në shkollë dhe pedagogët. Kemi tre pedagogë, që na japin disa lëndë, që nuk kanë lidhje me degën tonë. Njëri nga pedagogët, na jep vizatim inxhinierik dhe kemi vizatuar shtëpi, ndërkohë që duhet të mësojmë për makineritë. Një tjetër pedagog na mëson teknologji materiale për ndërtim dhe një pedagog tjetër na mëson për elektrikun.

Gazetarja: Ndërkohë këto lëndë nuk iu shërbejnë për degën për të cilën po studioni?

Studenti: Me pak fjalë, ne mësojmë gjëra që nuk na shërbejnë dhe na kanë bashkuar me studentë të tjerë, që nuk janë të lëndës sonë.

Gazetarja: Ndërkohë ju i keni pyetur pedagogët tuaj se përse po zhvilloni lëndë të cilat nuk po iu shërbejnë për degën dhe që nuk iu shërbejnë për degën?

Studenti: Jemi interesuar, kemi bërë ankesat tona te pedagogët, të cilët na kanë thënë që ky vendim është marrë nga lart dhe nuk kemi, se çfarë të bëjmë. Unë dua që kur të mbaroj këtë shkollë profesionale, të kem mësuar për profesionin dhe jo të kem mësuar për arkitekturën dhe ndërtimet.

Nëpërmjet një videoje të regjistruar në klasë, pedagogia Blerta Gërmënji pranon, se nuk ka lidhje lënda me degën, por kështu është vendosur nga drejtuesit.

Pedagogia: Kjo lënda, ju e keni bashkuar dhe është pak problem, në sensin, që…

Studenti: Të gjitha kështu i kemi ne.

Studenti tjetër: Sikur s’ka lidhje asnjë me këtë.

Pedagogia: Në kuptimin, që…, po bëjmë më shumë pjesën elektrike. Gjithsesi meqenëse shumica prej jush jeni për të kaluar te A-ja, nuk ju bën ndonjë ndryshim. Merrni kreditet!

Studenti: Zysha si është puna? S’ka ndonjë pedagog, që është tamam për lëndën apo?

Pedagogia: Jo tamam për lëndën, por dega juaj ka pasur pak studentë. Shiko, pak nuk jeni tani se jeni goxha. 19 studentë, 19 është numër i konsiderueshëm. Nuk e di. Kjo iu përket drejtuesve. Pastaj disa lëndë janë të ngjashme, prandaj dhe i kanë bashkuar. Për shembull, teknika e sigurimit normalisht duhet të kishit vizatim makinerish, por ajo është kërkesa. Kështu e kanë parë të arsyeshme. Juve do jua jap pyetjet, që do jenë në provim. Do i mësoni dhe do…!

Pedagogu Justim Mihani jep Vizatim Inxhinierik dhe Cad, por sipas studentëve mësohet për shtëpitë. Rezarta Cara jep teknologji materiale, por për ndërtim, ndërsa Blerta Gërmënji jep elektriken. Ne kërkuam ta verifikonim këtë situatë, por asnjë nuk ishte në universitet, as përgjegjësja e departamentit, as dekania dhe as rektori.

Gazetarja: Justin Mihani çfarë lënde bën aty?

Drejtori i kurrikulave: Do ta marr si informacion dhe do ta jap!

Gazetarja: Bën Vizatim Inxhinierik dhe Justin Mihani është arkitekt. Çfarë pune ka te Mekanika?

Drejtori: Do ta verifikoj me përgjegjësen e departamentit dhe do të jap informacion.

Gazetarja: Po ti më the, që i di.

Drejtori: Nuk i di përmendësh.

Gazetarja: Po hajde shkojmë në zyrë, që t’i verifikosh.

Drejtori: Patjetër! Pa problem! Po më pyesje për Vizatim Inxhinierik dhe Cad.

Gazetarja: Po!

Drejtori: Është lëndë, që e jep ditën e mërkurë, orën e parë.

Gazetarja: Çfarë lidhje ka kjo lëndë më Mekanikën?

Drejtori: Për këtë duhet t’ju përgjigjet përgjegjësja e departamentit!

Gazetarja: Rezarta Cara çfarë jep?

Drejtori: Profesoreshë Rezarta jep Teknologji Murature te programi i Menaxhim Ndërtimit.

Gazetarja: Te Mekanika dua!

Drejtori: Teknologji materiale!

Gazetarja: Blerta Gërmënji?

Drejtori: Teknikë Sigurimi tek Mekanikë Impiantesh Industrial dhe Bujqësore./tvklan.al