Stadiumi “Selman Stërmasi” do të zhvillohet tërësisht dhe do të ndërtohet nga e para përmes një gare të hapur.
Lajmi është bërë i ditur në një aktivitet për zhvillimin e pronave publike nga sipërmarrësit privatë përmes Koorporatës Shqiptare të Investimeve.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca, bëri të ditur se tashmë shpallja për fazën e parë për të marrë pjesë në këtë projekt është e hapur deri më 24 Janar.
Sipas saj, investitorët që duhet të paraqesin projektet e tyre për zhvillimin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe hapësirave përreth duhet të jenë arkitektë dhe sipërmarrës.
Sa i përket specifikimeve teknike për këtë projekt, stadiumi duhet të jetë i kategorisë 4 të UEFA me një numër vendesh 14.000-16.000.
Territori është 60 mijë metër katrorë. Pjesë e këtij janë prona publike çka përbëjnë 50 mijë metra katrorë.
“Programi që ne synojmë të vendosim nëpërmjet ideve që do vijnë në konkurrim është në masën 120 mijë metra katrorë. Thirrja për fazën e parë përfundon më 24 Janar. Do të ketë 5 skuadra të përzgjedhura që do marrin edhe çmime, 3 prej tyre do kenë mundësinë të konkurrojnë për të qenë fitues, 3 skuadrat me projektet më të mira dhe në fund do kemi 1 fitues, ai që do të ketë ofertën më të përshtatshme ekonomike”, tha Greca.
/tvklan.al