Prej kohësh emisioni “Stop” në Tv Klan ka denoncuar me prova e fakte shkeljet e noteres së Fierit, Anila Haxhiu. Në mars 2023 u transmetua sesi bashkëshorti i noteres i premtoi një prindi t’i kalonte jashtë fëmijën pa prokurën e prindit tjetër, duke paguar 550 euro.
Të nesërmen, kur grupi i xhirimit i shkoi noteres në zyrë për problemin e shitjes së një prone pas denoncimit të Dritan Harapit, noterja arriti deri në pikën që dhunoi gazetaren dhe operatorin e emisionit “Stop”.
Në prill 2023 “Stop” publikoi vulën e falsifikuar të noteres për përkthim e rezultoi se vula i përkiste fermerit Pelivan Metushi. Për gjithë këto shkelje Ministria e Drejtësisë ka gjobitur me 5 milionë lekë noteren Anila Haxhiu.
Nga ana tjetër Ministria shprehet se për çështjen e dhunës ndaj grupit të xhirimit, nuk vepron dot pasi kjo çështje është në gjykim. Prokuroria e ka cuar çështjen për gjykim ku gjyqtarja Miranda Nakaj shpërfill pamjet filmike, por zvarrit procesin duke thirrur në mënyrë të pakuptimtë 25 dëshmitarë nga pala e paditur.
Si të mos mjaftonte kjo, noterja i është hakërryer sërish gazetares, duke e kërcënuar atë.
Noterja Anila Haxhiu: Nuk e di kujt i ke futur derrin në kokën tënde. Na merrke ti, kolegët gazetarë! Po pyes unë televizionet. Por se di kush jam unë fare. S’pyes televizionet unë! Nuk ke nxjerr edhe Sali Berishën, aty ta nxjerrësh tërë ditën! Jo Ina Zhupat, “Timona.al” që ke në kokë. Do fitosh ti duke bërë shoqe! Unë shoqet e tua i bëj me plastelinë, kshu, tak i bëj në parlament! I bëj kshu moj… i marr i bëj kllonë në Parlament! Ti s’më njeh fare moj kush jam! Po, po shikomë ti! Unë kam ja 10 milionë euro me gjak, kshu të deklaruara!
Avokatja e Anila Haxhiut: Shshshsh! Do pushosh ma! O Nila se do të nxjerrë gjykata jashtë edhe…
Noterja Anila Haxhiu: Jo me, s’flas unë! Zonja prokurore (prokurores Elida Hoxha) këto gjëra duhet t’i dëgjoni edhe juve! Çfarë dëshmitarësh me? Ata ishin në zyrë të tërë. Po bënin punë. Hajde, hajde më jep 2 milionë euro dëmshpërblim! Unë jam grerëzë moj grerëzë! Qesh, qesh… Më njeh mua ti kush jam? Unë jam grerëzë! Po t’u ndava, po vdeksha! O unë, o ti në këtë botë!/tvklan.al