Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg bën thirrje për sanksione ndaj Kinës, që mbështet Rusinë për luftën në Ukrainë.
Në një intervisë për median britanike BBC gjatë vizitës në Uashington, Stoltenberg e konsideron të papranueshme politikën e Kinës që ta mbajë mirë me të dyja palët.
“Kina është duke nxitur ekonominë ruse të luftës, duke i furnizuar me teknologji, mikroelektronikën që është thelbësore për raketat që ata përdorin kundër Ukrainës. Nga ana tjetër, Kina përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira ekonomike me aleatët europianë të NATO-s”.
I ndodhur në Uashington për të diskutuar me presidentin amerikan Joe Biden për axhendën e samitit të NATO-s të 9 deri 11 Korrikut që organizohet në Shtetet e Bashkuara, Stoltenberg u bëri thirrje vendeve anëtare të bien dakord për një plan masash ndëshkuese për këtë qasje të Kinës.
Pekini zyrtar mohon të ketë furnizuar Rusinë me pajisje të teknologjisë së lartë për prodhimin e armëve vdekjeprurëse.
Autoritetet kineze thonë se u janë përmbajtur me përpikmëri rregullave ndërkombëtare për tregëtinë.
Tv Klan