Projektet për ngritjen e qendrave të kthimit të azilkërkuesve jashtë territorit të Bashkimit Europian nuk do të jenë pjesë e rregullores së re të unionit për emigrantët e jashtëligjshëm.
Mediat pranë zyrave të BE-së në Bruksel bëjnë të ditur se projektligji i ri do të prezantohet të martën në një sesion të Parlamentit Europian nga Komisioneri Europian për Migracionin, Magnus Brunner.
Plani parashikon që vendet anëtare të unionit të kenë të njëjtat procedura për riatdhesimin e azilkërkuesve dhe emigrantëve të jashtëligjshëm që nuk i përmbushin kushtet për të qëndruar në mënyrë ligjore në shtetet e Bashkimit Europian.
Disa shtete anëtare ndër të cilat Italia, Greqia, Gjermania e Austria mbështesin ngritjen jashtë territorit të BE-së të qendrave të kthimit të azilkërkuesve të refuzuar, për të dekurajuar dyndjet masive nga toka dhe deti, që janë shndërruar në një problem serioz, dekadën e fundit.
Një model i ngjashëm është edhe kampi i Gjadrit, i ngritur sipas marrëveshjes së 6 Nëntorit 2023 në Romë mes kryeministrave Rama e Meloni. Plani parashikon dërgimin në Gjadër të deri 36 mijë emigrantëve që shpëtohen nga italianët në ujërat e Mesdheut dhe përpunimin aty të kërkesave për azil.
Zbatimi i planit mbetet aktualisht pezull nga drejtësia italiane, që ka anuluar dërgimin e 3 anijeve me emigrantë, ndërsa çështja është në shqyrtim nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, që pritet të japë një përgjigje përfundimtare.
Tv Klan