Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë “rifilluar punën” dhe do të kenë një “takim kuptimplotë” javën e ardhshme. E konfirmon presidenti Volodymyr Zelensky, i cili mbajti një fjalim në samitin e Këshillit Europian në Bruksel. Ndërsa u prit me duartrokitje, ai tha se vendi i tij dëshiron paqe, “por jo me koston e dorëzimit të Ukrainës”.
“Ukraina jo vetëm që është e gatshme të ndërmarrë hapat e nevojshëm për paqen, por ne po propozojmë gjithashtu se cilat janë ato hapa”.
Dhe këtu ai sheh të nevojshëm për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë një armëpushim në ajër dhe det dhe lirimin e të burgosurve të luftës si mjet për të krijuar besim mes palëve.
“Çdo armëpushim apo masë për ndërtimin e besimit mund të shërbejë vetëm si një prolog për një zgjidhje të plotë dhe të drejtë, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për garancitë e sigurisë dhe përfundimin e luftës.”
Në lidhje me negociatat e ardhshme, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i dërguar i posaçëm Witkoff dhe këshilltari për sigurinë Waltz do të takohen me delegacionin ukrainas në Riad më 11 mars. Takimi do të shënojë fillimin e punës së ekipeve nga Ukraina dhe SHBA.
Ndërkohë i dërguari i Donald Trump për Rusinë dhe Ukrainën Keith Kellogg i bëri dhe një herë thirrje Zelenskyt të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet në mënyrë që të vijojë dialogu me administratën amerikane, përfshirë rikthimin e ndihmës ushtarake dhe informacionet e zbulimit. Kellogg thotë se marrëveshja do të veprojë si një “garanci de facto sigurie”. Ai shton se “të gjitha opsionet janë në tryezë” për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë samitit, presidenti ukrainas përshëndeti edhe “Planin e Riarmatimit të Europës”. Një shtrëngim duarsh edhe me kryeministrin hungarez Orban. Europa ka vendosur të shpenzojë të paktën 800 miliardë euro për mbrojtjen dhe një pjesë e këtyre fondeve do të investohen në industrinë ushtarake të Ukrainës.
Udhëheqësit europianë u zotuan të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Më i ashpri me Rusinë, kryeministri polak Donald Tusk bëri thirrje garë armatimi me Rusinë për të rrënuar siç ndodhi me Bashkimin Sovjetik.
“Europa në tërësi është me të vërtetë e aftë të fitojë çdo konfrontim ushtarak, financiar, ekonomik me Rusinë, thjesht, ne jemi më të fortë.”
Ndërsa kancelari në detyrë i Gjermanisë Olaf Scholz kërkoi që Europa të mos ndahet nga SHBA-ja.
Klan News