Rreth 6 muaj pas tentativës për të vrarë kushëririn e tij, Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 29-vjeçar të shpallur në kërkim.

I arrestuari është i riu Mario N., ndaj të cilit Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë. Ai akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Më 11 Stator 2024, 29-vjeçari së bashku me babanë dhe vëllain e tij, ka tentuar të vrasë me armë zjarri kushëririn e tij E.N. gjatë një konflikti. Babai dhe vëllai i të arrestuarit u ndaluan nga policia menjëherë pas ngjarjes në muajin Shtator 2024.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Në shtator 2024, tentoi të vriste me armë zjarri, kushëririn e tij, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari.

I ndaluari e kreu krimin në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, të cilët u kapën nga Policia, menjëherë pas ngjarjes.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për krim kundër personit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, finalizuan operacionin e koduar “Lokacioni”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. N., 29 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, shtetasit G. N. dhe E. N., gjatë një konflikti më datë 11.09.2024, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, kushëririn e tij, shtetasin E. N.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


/tvklan.al