Emisioni “Opinion” u mundua të hedhë dritë mbi misterin e vrasjes së palestinezes 1 javë më parë në Tiranë. Gazetari Merin Maçi tregoi nga studio të gjithë itinerarin që babë e bijë, Fadi dhe Rayyan Alwan, ndoqën si dhe mënyrën si u gjet viktima e pajetë.

Komunikimi i fundit i Alwan-ëve me pronaren e shtëpisë që kishin marrë me qira ishte kur i kërkonin një çarçaf. Kjo ka ndodhur më 21 Shkurt.

Mirëpo disa ditë më vonë, djali që i ka pritur në Tiranë babë e bijë, ka kontaktuar me pronaren e banesës, ku është interesuar nëse çifti i kishte vënë në dispozicion mjetin identifikues. Kur kanë mbërritur në godinë ai ka qenë bashkë me pronaren e banesës, e cila i ka pohuar se nuk ka pasur më asnjë komunikim prej tyre.

E zonja e shtëpisë ka pohuar se ka pasur disa mesazhe në aplikacionin WhatsApp me numrin që ishin kontaktuar fillimisht, por më vonë nuk shkonin mesazhet. Duke parë këto rrethana, ata kanë vendosur që të hyjnë në apartament dhe fillimisht nuk kanë parë asnjë gjë të çuditshme.

Dyshimet janë shtuar kur kanë konstatuar të kyçur një dhomë të apartamentit. Djali që ka bërë pritjen fillestare të palestinezëve e ka hapur forcërisht derën dhe e ka gjetur të mbuluar me çarçaf 24-vjeçaren. Aty ata kanë konstatuar që dhoma vinte erë, që do të thotë se trupi i të resë kishte nisur të dekompozohej. Pas kësaj menjëherë është bërë njoftimi i policisë.

Kur kanë shkuar, autoritetet kanë konstatuar tre plagë, një në kurriz, një poshtë shpatullës dhe një në fund të barkut. Por sipas asaj që ka mësuar gazetari Maçi, ekspertiza mjekoligjore ka vënë re se e reja është qëlluar me ashpërsi pasi plaga ka qenë e thellë rreth 15 centimetra.

“Ajo që vihet re nga ekspertiza mjekoligjore duket se ka pasur një ashpërsi në goditjen që ajo ka pësuar pasi plaga ka qenë e thellë rreth 15 centimetra”, tha gazetari./tvklan.al