Një avion ambulancë me gjashtë persona në bord u rrëzua në Filadelfia në lindje të Shteteve të Bashkuara, 2 ditë pas tragjedisë ajrore që vrau 67 persona në Uashington, ku një aeroplan pasagjerësh i “American Airlines” u përplas në ajër me një helikopter ushtarak.
Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur avioni me dy motorë humb kontrollin rreth 6 kilometra larg aeroportit, përpara se të godasë tokën dhe të shpërthejë në flakë. Përplasja i vuri flakën disa ndërtesave dhe automjeteve përreth “Roosevelt Mall”, një qendër tregtare në Filadelfian Verilindore.
Të gjashtë personat në bord, mes të cilëve një vajzë që kishte marrë trajtim mjekësor në SHBA, nëna e saj, dy anëtarë të ekuipazhit dhe dy mjekë, të gjithë meksikanë, sipas kompanisë që zotëron avionin, humbën jetën.
Sipas autoriteteve shtetërore, 6 persona të tjerë në tokë morën lëndime, nga të cilët 3 ndodhen ende në spital, ndërsa 3 të tjerë u larguan pasi morën ndihmë mjekësore.
Administrata Federale e Aviacionit bëri të ditur se nuk ishte e qartë ende se çfarë ka çuar në rrëzimin e avionit, por theksoi se moti ishte me shi dhe me shikueshmëri të kufizuar.
Tv Klan