Teatri i Kukullave ka marrë përsipër të rikthejë në skenën e tij të gjitha shfaqet klasike për fëmijë që janë luajtur para viteve ’90.

Në bashkëpunim me Unops, e para shfaqje që do të ngjitet në skenë do të jetë “Zemërimi i Shkronjave”, e luajtur për herë të fundit më 1985. Shfaqja do të përshtatet për fëmijët sot, më kukulla tërsisht të reja, ndërsa premierën do ta ketë në Shtator.

“Shfaqja do të vijë e rijetëzuar për fëmijët, me disa ndryshime të vogla në tekst që do të përshaten me kontekstin e kohës dhe me kukulla krejtësisht të reja”, tha Melsi Qirici, Drejtore e Teatrit të Kukullave.

Integrimi i fëmijëve në këto rivënie bashkohore është synim i Tetarit të Kukullave, ndërsa prioritet është që shfaqjet të vijnë me audiopërshkrim edhe për fëmijët që nuk shohin.

“Kemi fëmijë të qendrës, të kursit të aktrimit. Fëmijë që janë shumë të talentuar dhe mund të bëhen pjesë e projekteve. Prioriteti kryesor është që përveç “Zemërimit të Shkronjave” dua të përmend edhe faktin që ai për herë të parë do të vihet në skenë për fëmijët që nuk shohin”, tha Melsi Qirici, Drejtore e Teatrit të Kukullave.

Të tjera shfaqje të vjetra do të jenë pjesë e këtij programi.

“Kur Festohet një Ditëlindje, Babaviti, Kacamistri, shfaqje shumë të vjetra, por me mesazhe shumë të bukura, të cilat mund të sillen përfekt në ditët e sotme. Janë impenjative sepse shfaqjet klasike të teatrit kanë qenë një tjetër lloj sistemi, me tela dhe me një lloj tjetër teknikaliteti”, tha Melsi Qirici, Drejtore e Teatrit të Kukullave.

Krahas kësaj nisme Teatri i Kukullave do ta vazhdojë aktivitetin me premiera për grupmosha të ndryshme që tek fëmijët deri tek adoleshentët.

Tv Klan