Mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin “Opinion” në Tv Klan ishin të ftuar dy figura mjaft të njohura për publikun shqiptar. Agron dhe Armand Duka u pyetën nga gazetari Blendi Fevziu për suksesin e tyre për më shumë se 30 vjet në fushën e biznesit e sipërmarrjes.
Sipas asaj që u tregua Armand Duka ishte shumë i zoti në tregti, por dëshira e madhe për futbollin ia “prishi” disi mendjen. Që në krye të intervistës ai tregon se angazhimet në federatë i kanë ndikuar negativisht në biznes.
Megjithatë kjo nuk bëri që ai të hiqte dorë. Përkundrazi Duka nuk u dorëzuar as kur në administratën e federatës e gjeti vetëm me 12 punonjës. Administratë e cila sot është totalisht e transformuar, me një staf profesionistësh, ku numërohen më shumë se 180 të punësuar.
Blendi Fevziu: Kush është më i vështirë administrimi i biznesit apo administrimi i federatës?
Armand Duka: Administrimi i federatës.
Blendi Fevziu: Pse?
Armand Duka: Nuk e di, po njerëzit kanë një sjellje ndryshe mbase në një biznes privat, sikur u përkushtohen pak më shumë. Megjithatë administrata e Federatës së Futbollit është goxha e specializuar.
Blendi Fevziu: Po në administratë të federatës sa njerëz ke tani të punësuar?
Armand Duka: Sot janë rreth 180 vetë.
Blendi Fevziu: Me sa e ke marrë?
Armand Duka: Me 12. Është e vështirë që të kesh pretendime të mëdha pa njerëz, pa administratë të mirë. Dhe aktivitetet që ne bëjmë sot në Federatën e Futbollit janë shumë herë më shumë se sa ato të asaj kohe sepse maksimumi ishte një kampionat minimalist./tvklan.al