Pas përmbysjes së diktaturës, Sali Berisha thotë se koalicioni “Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore” janë premtimi më i madh për shqiptarët. “Shqipëria Madhështore ka si kusht të të gjitha kushteve që asnjë shqiptar i vetëm të mos njohë më varfërinë ekstreme.”
Vendosja e minimumit jetik 200 Euro, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe ulja e disa prej taksave sipas kreut të opozitës kanë për qëllim nxjerrjen e vendit nga skamja dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Vendosja e rrogës minimale 500 euro, e rrogës mesatare 1200 Euro, rritja e pensioneve me 20%, ulja e çmimit të naftës me 30-40%, vendosja e kartës së konsumatorit për të gjithë ata që marrin pensione, minimum jetik dhe rroga të ulëta për të rimbursuar shumën përafërsisht 450 Euro në vit për ushqimet dhe gjërat bazë që blejnë. Çmimi i energjisë prej 7 lekë. Pjesëtimi me 5 i çmimit për pronën etj …do i japin një çlirim të menjëhershëm shqiptarëve nga dhimbjet e skamjes ekstreme.”
“Leva e Arkimedit” për të kthyer në realitet këto premtime ai thotë se është nxitja e prodhimit vendas.
“Shqipëria nuk do ishte kurrë madhështore nëse nuk do ishte Shqipëria e prodhimit të të mirave, Shqipëria e prodhimeve që do mbushin tregjet e vendit dhe tregjet ndërkombëtare. ‘Made in Albania’ do jetë motoja e krenarisë së shqiptarëve.”
Ndërsa në orët e pasdites, teksa prezantoi programin për sektorin e “Energjisë dhe burimeve natyrore”, Berisha tha se synon ta shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi në rajon.
Ripërsëriti premtimin e tij për uljen e çmimit të energjisë duke hedhur akuza në adresë të qeverisë për abuzime me paratë e shqiptarëve.
“Made in Albania” në të gjitha burimet për nxitjen e prodhimit të energjisë dhe vendosja në një sistem unik me Kosovën janë disa nga projektet që tha se do të vërë në zbatim pas ardhjes në pushtet. Berisha akuzoi qeverisjen e majtë se në 12 vite anuloi një sërë kontratash lidhur me investimet në sistemin energjetik dhe garantoi vendosjen e praktikave më transparente për shfrytëzimin e naftës dhe gazit në vend.
Tv Klan