Donald Trump po humb durimin në përpjekjet për të sjellë paqe në Ukrainë. Presidenti ukrainas kërcënoi edhe Moskën me sanksione të paprecedenta e tarifa të larta, nëse nuk heq dorë nga sulmet si ai i natës së kaluar në Ukrainë.
“Bazuar në faktin se Rusia po “godet” gjerësisht Ukrainën në fushën e betejës, po konsideroj sanksione të fuqishme bankare dhe tarifa në shkallë të gjerë ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare paqeje. Drejtuar Rusisë dhe Ukrainës, uluni në bisedime përpara se të jetë tepër vonë. Faleminderit!!!”
Megjithatë, shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka më të vështirë të negociojë me Kievin se me Moskën.
“Me Rusinë po ia dalim shumë mirë. Për dreq ata po bombardojnë fortë në Ukrainë. Sinqerisht kam të vështirë të merrem me Ukrainën.” Deklaratat, Trump i bëri vetëm pak orë pasi Rusia bombardoi me 70 raketa e 200 dronë disa prej qyteteve më të mëdhaja ukrainase, duke plagosur të paktën 18 persona.
Në shënjestër kishin infrastrukturën energjetike dhe atë të të prodhimit të gazit të Ukrainës. Numrin më të lartë të të plagosurve e pati Harkivi, ku bombat ranë edhe në zona të banuara, por goditje pati deri në qytetin jugor të Odesës.
Ky ishte sulmi i parë masiv nga Rusia në Ukrainë, që pasi Uashingtoni vendosi të ndërpresë ndihmën për Kievin për ta nxitur të ulet në bisedime paqeje. Autoritetet ukrainase thanë po ashtu se për të parën herë përdorën avionët francezë Rafal për të zmbrapsur disa prej shënjestrimeve.
Sulmi ndodhi natën kur në Bruksel, liderët e Bashkimit Europian ranë dakord për planin për dyfishimin e shpenzimeve për ushtrinë dhe shtimin e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin, pas pezullimit të ndihmës amerikane.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi që javën e ardhshme të udhëtojë drejt Arabisë Saudite për t’u takuar me delegacionin amerikan për bisedimet e paqes me Rusinë që po organizohen nga Trump.
Tv Klan