Pas kritikave me të cilat u përball propozimi i Donald Trampit bërë në krah të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për shpërnguljen e banorëve të Gazës dhe rindërtimin e territorit palestinez të shkatërruar nga lufta, zyrtarët e lartë të Uashingtonit dolën publikisht për të sqaruar fjalët e presidentit amerikan.

“Ajo çka ai po ofron me bujari është mundësia që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë me heqjen e rrënojave, armatimit, rindërtimin e shtëpive bizneseve në mënyrë që njerëzit të kthehen, por ndërkohë njerëzit duhet të jetojnë diku. Ky nuk është një veprim armiqësor”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio.

 “Presidenti nuk është angazhuar të vendosë çizmet në Gaza. E po ashtu nuk ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë për rindërtimin e Gazës. Administrata e tij do të punojë me vendet e rajonit. Pret nga këto vende të pranojnë përkohësisht refugjatë nga Gaza”, thekson Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karolinë Leavitt.

Plani i ka pëlqyer kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

“Gazanët që duan të largohen, le të largohen. Ç’të keqe ka këtu? Mund të ikin, mund të kthehen, por Gaza duhet rindërtuar dhe kjo është ideja e parë e mirë që kam dëgjuar”, tha Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Plani për shpërnguljen e banorëve të Gazës u kundërshtua ashpër nga vendet e rajonit, ato të Bashkimit Europian, Turqia, Rusia e Kina.

Tv Klan