Të paktën 330 persona humbën jetën nga bombardimet izraelite gjatë natës në qytetin e Gazës, shumica dërrmuese e të cilëve civilë, siç njoftoi ministria e Shëndetësisë e Hamasit. Mes viktimave janë edhe 4 zyrtarë të lartë të qeverisë së Hamasit.
Sulmet nisën në befasi, duke i gjetur banorët e Gazës krejtësisht të papërgatitur çka thelloi bilancin e rëndë të masakrës, ndonëse në shenjestër siç u njoftua në një deklaratë të ushtrisë izraelite ishin bazat e Hamasit. Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se nga tani e tutje do të godasë Hamasin me fuqi të shtuar ushtarake, pasi organizata palestineze nuk pranoi propozimin e të dërguarit amerikan për lirimin e të gjithë pengjeve. Hamas tha se sulmi goditi civilë të pafajshëm pa bërë asnjë dallim dhe kërkoi nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të ndalin Izralin.
Sipas Tel Avivit, Hamasi mban ende 59 pengje në Gaza, ndër të cilët vetëm 24 besohet se janë gjallë. Izraeli kërkoi lirimin e tyre për t’i hapur rrugë fazës së dytë të armëpushimit, ndërsa Hamasi këmbënguli në zbatimin e varianti për të cilin u ra dakord që në fillim që ata të liroheshin pas hyrjes në fuqi të fazës së dytë.
Tv Klan