“Lufta tregtare nuk i shërben askujt”. I këtij mendimi është Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, gjatë komunikimit të saj në Senatin italian, në kuadër të Këshillit të ardhshëm Europian, sa i përket qëndrimit që Europa dhe Amerika duhet të mbajnë ndaj tregtisë, e cila po kthehet në një diskutim global pas vendimeve të fundit të Presidentit Donald Trump.
“Jam e sigurt që ne duhet të vazhdojmë të punojmë me përqëndrim dhe pragmatizëm për të gjetur një bazë të mundshme të përbashkët dhe për t’iu shmangur një lufte tregtare e cila nuk do të ishte në interes të askujt, as Shteteve të Bashkuara dhe as Europës. Nuk është zgjuarsi të hakmerresh dhe t’i tërheqësh të gjithë një një rreth vicioz në të cilin të gjithë humbasin”, u shpreh Giorgia Meloni.
Kryeministrja italiane komentoi gjithashtu dhe situatën e luftës në Gaza, të cilën po e ndjek me shumë shqetësim.
“Rifillimi i luftimeve po rrezikon objektivat drejt të cilave po punojmë të gjithë, lirimin e të gjitha pengjeve dhe dhënien fund të armiqësisë mes dy vendeve, duke shtuar këtu dhe rivendosjen e ndihmës së plotë humanitare në Rripin e Gazës”, theksoi Meloni.
Sa i përket luftës në anën tjetër mes Rusisë dhe Ukrainës, Meloni thekson se ka një hezitim në bisedimet për armëpushim, duke bërë që negociatat për paqen të vonojnë, por shprehet besimplotë për sa kohë në këtë mes qëndron Presidenti i Shteteve të Bashkuara.
“Ka ardhur momenti që të kërkojmë me krenari mbështetjen tonë të unifikuar dhe të vendosur për popullin ukrainas. Prandaj, për këto arsye, ne e përshëndesim përpjekjen e iniciuar nga Presidenti Trump. Përsërisim se mbështetja e Italisë për Ukrainën mbetet e pandryshueshme”, tha kryeministrja Meloni. /tvklan.al