Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga Gjykata e Posaçme apo që ka qenë/është simbol i SPAK, nuk ka përfituar nga amnistia.

Në fjalën e tij në Parlament duke u përgjigjur në interpelancën e kërkuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj, ministri Manja theksoi se nga amnistia kanë përfituar 20 persona të dënuar nga GJKKO, por kanë qenë nëpunës të shtetit ose qytetarë të zakonshëm dhe jo zyrtarë të lartë apo simbol të korrupsionit në Shqipëri.

“Nuk kam mashtruar askënd por kam shprehur publikisht qëndrimin e qeverisë për të mos amnistuar asnjë zyrtar apo ish-zyrtar të lartë të hetuar apo dënuar për korrupsion. Ata që kanë përfituar nga amnistia me ulje dënimi dhe janë dënuar nga GJKKO për vepra penale korruptive,  janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës në shërbim publik janë vetëm 8 dhe asnjëri prej tyre nuk është simbol i korrupsionit në Shqipëri”.

Megjithatë, ministri i Drejtësisë u shpreh se personalisht mendon që amnistia e vitit 2024 ishte e butë dhe do të duhej të ishte më e gjerë se kaq.

“Nëse doni mendimin tim, po, kjo amnisti në raport me nevojat dhe të garantimit të standardeve të të dënuarve me standardet europiane të burgjeve, kjo amnisti është e butë. Do duhet të ishte më e gjerë se sa ishte. Sepse sot që flasim, në burgje janë 4918 të paraburgosur dhe të dënuar”.

Manja renditi edhe shkaqet përse u ndërmorr amnistia penale.

“Mbipopullimi, gjendja e rënduar e paraburgimit, pandemia dhe gjendja shëndetësore e mjaft prej të dënuarve, kohëzgjatja e vuajtjeve të dënimit, rritja e kostove financiare dhe mungesa e burimeve njerëzore”.

Nga amnistia penale, deri më tani janë liruar në total 868 të dënuar. Nga këta, 808 janë liruar menjëherë më 24 Prill 2024 kur nisi zbatimi i amnistisë. Ndërsa ulje dënimi kanë përfituar 955 të dënuar, nga të cilët 8 gra dhe 2 të mitur.

Ministri i Drejtësisë foli me shifra për të dënuarit nga GJKKO, që janë 20, dhe renditi emrat e tyre që u liruan, por nuk janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë.

“Në 20 të dënuar nga GJKKO, vetëm 8 prej tyre kanë qenë të dënuar kundër veprimtarisë shtetërore, pra shtetas të zakonshëm por kurrsesi zyrtarë të lartë. 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për dhënie ndihme kalim të paligjshëm kufiri, falsifikim dokumentesh”.

Të dënuarit nga GJKKO që përfituan nga aministia penale:

  • Edmond Z. i dënuar i janë falur 13 ditë.
  • Mariglen M. i dënuar me 2 vjet për shkelje të barazisë në tendera.
  • Marvin M. i dënuar 2 vjet, i janë falur 9 muaj e 7 ditë.
  • Admir B. nga 4 vite i janë falur 3 muaj.
  • Eduard R. është dënuar për moskallëzim krimi. I dënuar me 3 vite, ju fal 1 vit.
  • Hamza T. i dënuar me 1.2 vite ju falën 4 muaj.
  • Ibrahim G. i dënuar me 8 muaj, ju falën 26 ditë.
  • Erjon B. i kemi falur 14 ditë.
  • Lulzim Ç. i kemi falur 1 muaj e 8 ditë.

Amnistia penale u votua nga Parlamenti me 116 vota pro.


Tritoli në banesën e gjyqtarit të Shkodrës/ Alibeaj: U raportua se i dyshuar mund të jetë një i dënuar që përfitoi nga amnistia

Deputeti Enkelejd Alibeaj thotë se është raportuar se lënda plasëse e vendosur para banesës së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj mund të jetë vendosur nga një person që ka përfituar nga amnistia penale që ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Reçit. Gjatë fjalës së tij në interpelancë me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, Alibeaj shprehet se nuk mundet që duart që janë liruar nga amnistia penale të godasin sërish.

Enkelejd Alibeaj: Së fundmi, është raportuar se i dyshuar për bombën ndaj gjykatësit të Shkodrës, gjyqtarit Sterkaj, mund të jetë një nga personat që ka përfituar nga amnistia dhe që është liruar nga burgu i Reçit dhe që mund të jetë dënuar në fakt nga ky gjyqtar. Një fakt tjetër është i vërtetë, rasti i skifterit që vodhi një makinë në Korçë pa mbushur 12 orë pas lirimit nga amnistia që ju votuat. Siguria publike është cënuar nga ata protagonistë që janë dënuar më para. Nuk mundet që të njëjtat duar që janë liruar sot, nesër të godasin prapë.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Enkelejd Alibeaj është shprehur se me votimin e amnistisë penale dhe të lirimit të personave të dënuar nga GJKKO, qëllimi ka qenë që t’i tregojnë SPAK-ut se “në Kuvend ka forcë të madhe që mund të rrënojë të gjithë veprimtarinë” e tyre.

Enkelejd Alibeaj: Shoh një ndryshim të madh nga 1 muaj më parë. Nuk qenka ashtu siç u betove para një muaji, paske liruar pra. Kjo ishte ajo se çfarë i shitët këtu publikut shqiptar. E votuat ju, ta gëzoni, këtë e keni peshqesh dhe ishte produkt i bashkimit tuaj. Ti vjen këtu dhe bën këtë gjë. Ato emra që lexove ishin emrat e personave të dënuar nga GJKKO që ju është ulur dënimi dhe kanë dalë nga burgu. Sa janë emrat që kanë përfituar ulje? Sa është numri i personave të dënuar nga GJKKO dhe SPAK dhe janë në dënim në shërbim të provës? The që efekti i amnistisë vazhdon dhe kam kërkuar nga SPAK të dhënat dhe do i marr. Gënjeshtra e amnistisë e sapomiratuar që nuk do të shpëtonte të korruptuarit.

Pavarësisht premtimit se asnjë i dënuar nuk do të përfitojë, drita shpërtheu duke nxjerrë një realitet të hidhur. Amnistia e miratuar së fundmi shërbeu si mesazh i fuqishëm ndaj SPAK se kur ndjenja nga kërcënimi i ligjit, bëhet e prekshme, konkurrenca mes partive zbehen. Amnistia, përpjekje për të penguar zbatimin e ligjit. Tek ligji i amnistisë, një kod i heshtjes mafioze duke ju kërkuar aty të mos rrëfehen. Kjo amnisti, mbrojtje politike “durojeni presionin e drejtësisë, pak kohë burg do të bëni dhe me amnisti do ju lëshojmë”. Amnistia kjo vetëm që është në kontrast me zotimet, por tregon mungesë së koherencës mes fjalëve dhe veprimeve të klasës së politikës këtu. Mesazhi më i rëndë shkon për viktimat që kanë vuajtur prej kriminelëve. Si mundet Kuvendi t’i kthejë shpinën atyre?  

E mbajtët 3 muaj amnistinë, si e si për t’i dhënë mesazh SPAK-ut. Arsyeja reale, donit të tregonit forcë, 116 vota, blloku, fronti anti-SPAK. I treguat SPAK-ut dhe atyre që punojnë se këtu ka forcë të madhe që mund të jua rrënojë të gjithë veprimtarinë që bëni pa ju dridhur qerpiku, ky ishte sinjali. SPAK dhe drejtësia e re janë në rrezik. Kjo është këmbanë alarmi për atë që po ndodh për drejtësinë.


Interpelanca për amnistinë/ Ulsi Manja – Enkelejd Alibeajt: Je shumë rëndë, do mbetesh i pakënaqur


Lulzim Basha – Ulsi Manjës: Pse merresh me leshtë mi? Të ngelën në gojë leshtë e mi!


Manja i përgjigjet Bashës: Nuk kam hallin e leshve të tu. Iki nga politika kur “të gënjej për orën”



/tvklan.al