Parlamenti është mbledhur sot në seancë plenare dhe ka nisur me diskutimet për interpelancën me ministrin e Dejtësisë, Ulsi Manja, e kërkuar nga disa deputetë të opozitës që mbështesin Lulzim Bashën. Interpelanca është kërkuar për amnistinë penale, nga e cila thuhet se përfituan edhe 100 të dënuar nga GJKKO, të cilën e ka prezantuar në seancë plenare Enkelejd Alibeaj.

“Më datë 04 Prill 2024, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligj in 33/2024 “Për amnistinë”. Ky projektligj iu nënshtrua procedurës së zakonshme parlamentare dhe drafti i miratuar në Komisionin e Ligjeve u ndryshua në seancë plenare në bazë të amendamenteve të depozituara në Kuvend më datë 03 Prill 2024.

Në deklarimet mediatike në periudhën Shkurt – Prill 2024, si dhe në deklaratat publike, jashtë ambienteve të Kuvendit, dhe gjatë seancës plenare të datës 04.04.2024, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka deklaruar publikisht se nga projektligji që parashikohej të miratohej, e që më pas u miratua, nuk do të përfitonte asnjë zyrtar i hetuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo dënuar nga Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në më pak se një muaj nga miratimi i ligjit 33/2024 në median e shkruar është publikuar një korrespondencë zyrtare me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në këtë korrespondencë relatohet se sipas vlerësimeve të SPAK nga ligji 33/202, deri më datë 30.04.2024 mund të përfitojnë, ose kanë përfituar 100 persona.

Sipas të dhënave të bëra publike rezulton se nga ligji 33/2024 kanë përfituar 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, të cilët përfitojnë falje dënimi, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfitojnë ulje dënimi. Ndër zyrtarët që përfitojnë ulje dënimi rezultojnë 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë të dënuar për shkelje të barazisë në tendera, si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit.”

Foto: Pyetjet që shtrohen për diskutim në interpelancë me ministrin Manja

Sipas një reagimi më herët të SPAK, 100 persona të dënuar nga GJKKO përfituan nga aministia penale, një pjesë e të cilëve përfituan falje dënimi, kurse pjesa tjetër ulje./tvklan.al