Ekspertët dhe shkencëtarët në hulumtimet e fundit kanë nxjerrë në pah një “epidemi” që po prek gjithnjë e më shumë popullsinë, e veçanërisht adoleshentët.
Kohët e fundit është vërë re një lloj tendence tek të rinjtë për të urryer veten dhe në fakt kjo nuk ka aspak lidhje me depresionin. Sipas tyre nuk janë vetëm presionet shoqërore që e bëjnë jetën e vështirë. Përvojat e hershme dhe stilet e prindërimit mund të ndikojnë gjithashtu në vetë-perceptimin dhe shëndetin emocional të fëmijëve. Por, ekspertët duke bërë dallimin mes depresionit dhe të urryerit e vetes shprehen se ka mënyra se si prindërit të ndihmojnë në rindërtimin e vlerësimit të fëmijës së tyre. Terapia e sjelljes dialektike ose e thënë ndryshe DBT është një lloj terapie e cila bashkon një sërë programesh për të reduktuar sjelljet vetë-rrezikuese, si dhe simptomat e tipareve të çrregullimit të personalitetit.
Po çfarë është urrejtjes ndaj vetes?
Ka shumë mënyra në të cilat ne mund të jemi të pakënaqur me veten. Por kur ideja për të mos qenë mjaftueshëm është aq e thellë saqë ngulitet në mënyrën se si ne shohim veten dhe përshkon gjithë qenien tonë, ajo mund të na çojë drejt asaj që quhet urrejtje ndaj vetvetes. “Neveria” për veten fillon të ndikojë në shumë vendime që marrim, në punë, shkollë apo dhe aspektin e jetës personale.
Çfarë e shkakton urrejtjen ndaj vetes?
Njerëzit të cilët kanë përjetime të mëdha edhe ndaj ngjarjeve që në pamje të parë konsiderohen si të vogla, ndikohen më shumë nga reagimet e të tjerëve për ta. Duke qenë të tillë ata thellohen më shumë se ç’duhet në konceptin e të tjerëve duke anashkaluar dhe kritikuar pa mëshirë veten e tyre.
Ku ndryshon urrejtja ndaj vetes me depresionin?
Dikush në kushtet e depresionit mund që të jetë shumë i pakënaqur me jetën e tij. Në rrethana të tilla ai/ajo fillon të thotë “E urrej mënyrën se si po jetoj” ose “E urrej që nuk po ngrihem nga shtrati dhe nuk po shkoj në punë”. Në fakt kjo në vetvete nuk është një urrejtje ndaj vetes, por një urrejtje ndaj kushteve e rrethanave që të kanë çuar deri në atë pikë. Njerëzit të cilët kanë një urrejtje ndaj vetes edhe nëse kalojnë periudhën e stresit e të depresionit nuk arrijnë që të rikuperojnë vlerësimin për veten, përkundrazi kjo gjë kërkon më shumë kohë./tvklan.al