Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, aty ku një grua ka paditur një klinikë fertiliteti pasi ka zbuluar se ka lindur një fëmijë që nuk rezulton të jetë i saj.

Krsystena Murray mbeti shtatzënë pasi iu nënshtrua një fertilizimi in vitro dy vite më parë dhe nuk ishte vënë në dijeni nga klinika, e cila kishte bërë një gabim fatal.

Mediat shkruajnë se mjekët kaluan embrionin e një pacienti tjetër në vend të embrionit të saj duke shkaktuar kështu dhe një situatë të pakëndshme që la Murray-n të shokuar pas rezultatit.

Murray, e cila jeton në Georgia ngriti padi civile kundër specialistëve të fertilitetit, duke pretenduar se nga neglizhenca e treguar e kësaj klinike në përzierjen e embrioneve të saj me të një çifti tjetër, çoi në dhimbje dhe ankth të vazhdueshëm.

“S’jam ndjerë ndonjëherë kaq e dhunuar dhe kjo situatë më ka thyer emocionalisht e fizikisht. Kam kaluar gjithë jetën time duke dashur të bëhem nënë”, tha e zhgënjyer 38-vjeçarja gjatë një konference virtuale për gazetarët. /tvklan.al