Nikoll Sherrniku, i riu që akuzohet se ka ndihmuar autorët e atentatit në ‘Don Bosko’, ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja, refuzon bashkëpunimin në krim.

28-vjeçari, gjatë marrjes në pyetje mohoi akuzën e ngritur dhe u justifikua me faktin se ndodhet ne burg.

“Nuk kam lidhje me vrasjen në ‘Don Bosko’, s’kisha asnjë dijeni se çfarë kishte ndodhur, veç çfarë kam dëgjuar nga lajmet. Kur ndodhi vrasja unë isha në burg”.

Pavarësisht kësaj deklarate, hetuesit shprehen se kanë prova të forta që e implikojnë atë.

Bëhet fjalë për targat gjermane të gjetura në automjetin tip BMW, që u dogj pas ngjarjes, në fshatin Likmetaj në Durrës. Sherrniku u arrestua në Gusht të vitit të shkuar, por targat sipas hetuesve janë siguruar prej tij në Gjermani para kësaj kohe.

Targat provizore u morën pas blerjes së një automjeti në shtetin gjerman në 2020. I riu solli makinën me targa provizore në vendin tonë nga pika kufitare e Morinës dhe e regjistroi më pas në emrin e tij.

Këto targa duhet të përdoreshin deri në momentin e pajisjes me targa shqiptare, por policia beson se pas përfundimit të kësaj procedure, Sherrniku, ia dha anëtarëve të një grupi kriminal në zonën e Lezhës dhe Laçit.

Megjithatë Sherrniku pretendon se i ka dorëzuar targat provizore në Lezhë, aty ku dhe ka bërë regjistrimin me targa shqiptare. Dyshimet e policisë janë provuar nga veprime hetimore të kryera dhe letër-porositë e shkëmbyera me Gjermaninë dhe Kosovën.

Autoritetet deklarojnë se atentati ndaj Fatjon Muratit, u krye në shenjë hakmarrje për disa ngjarje kriminale, të ndodhura në Laç, Lezhë dhe Tiranë.

Nikoll Sherrniku është një emër i njohur për policinë. Ai u arrestua në Gusht të vitit 2022 nga Policia e Lezhës teksa qarkullonte me municion luftarak dhe makinë të blinduar.

Në momentin e arrestimit ai ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” pas dyshimeve se është i implikuar në vrasjen e ish-policit Xhulio Prela në 2021.

Klan News