#HistoriShqiptare #AlmaÇupi #TvKlan | Historitë vijnë nëpërmjet xhirimeve në terren, duke treguar në detaje gjithë punën e njerëzve, duke i bërë model për të gjithë ata që ndjekin këtë emision të Alma Çupit. #zagori #bujtina

“Histori Shqiptare” në Tv Klan, ka realizuar një udhëtim nëpër Zagori, krahinën e ndodhur mes malit të Dhëmbelit dhe të Lunxherisë. Fshatra të cilët ndodhen përballë njëri-tjetrit dhe duket sikur kuvendojnë. Zagoria ka 10 fshatra, “10 fshatra si 10 yje”, thonë banorët e zonës por “Histori Shqiptare” është ndalur në disa prej tyre, duke na njohur me arkitekturën e veçantë të këtyre fshatrave, banorët e mbetur në këto zona si dhe me kulturën e ruajtur me kujdes.

Fillimisht “Histori Shqiptare” u ndal në fshatin Konckë, fshat që banorët e quajnë Itaka e tyre, pikërisht me këtë titull është edhe libri i shkrimtarit Pirro Loli. Simboli i këtij fshati është gurra. Bora e malit të Dhembelit ushqen gurrën e Konckës. Uji është aq i ftohtë sa zagoritët thonë nuk pihet pa ngrënë.

Më pas udhëtimi i “Historisë Shqiptare” vazhdoi në vendlindjen enjë prej poetëve më të dashur të rilindjes sonë kombëtare, Andon Zako Çajupit, pra në fshatin Sheper. Në këtë fshat tashmë jetojnë 25 familje, numër ky më i madh se sa në fshatrat e tjera.

Një ndalesë tjetër ishte edhe në urën e Nivanit, ose ndryshe e Manastirit, urë kjo me një arkitekturë të mahnitshme, pranë së cilës ndodhet edhe “Manastiri i Kryengjëjve”, në të cilin për disa kohë është strehuar edhe Ali Pasha, në kohën kur ishte kaçak dhe luftohej nga Kurt Pasha i Beratit. Udhëtimi nëpër Zagori vazhdoi në fshatin e rrethuar nga lajthitë Topovën dhe përfundoi në fushën e Çajupit ku po përgatiten për “takimin e zagoritëve të larguar” .