Pak ditë pas zbulimit të rastit me meningjit të një 14-vjeçari në Durrës prindër që kanë fëmijët në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” thonë se autoritetet nuk po marrin masat.
Sipas tyre është bërë vetëm dezinfektimi i klasës dhe jo i të gjitha ambienteve. Nga frika e përhapjes së infeksionit dhe një pjesë e tryre nuk i çojnë fëmijët në këtë shkollë.
“Sot nuk i solla se deri dje e pata sjellë. Është vendimi jonë personal dhe i disa prindërve të tjerë që janë akoma aktualisht këtu që kanë marrë vendimin mos me i sjellë fëmijët”, u shpreh një prind.
“Duam që dezinfektimi të bëhet në çdo cep të shkollës. U bëra gati 2-3 ditë që nuk e sjell fëmijën tim në shkollë. Presim, nuk bëhet asgjë”, tha një tjetër prind.
“Frikë kemi, tej mase t’i sjellim fëmijët në shkollë. Na është thënë që është dezinfektuar vetëm klasa. Tani mund të na thonë ju mjafton vetëm klasa apo duhet e gjithë shkolla?”, shtoi një prind tjetër.
14-vjeçari ndodhet i shtruar në QSUT dhe është nën kujdesin e mjekëve, ndërsa sipas autoriteteve në Durrës nuk ka raste të tjera të zbuluara. Në Dhjetor të vitit të shkuar, po në Durrës, një vajzë 17-vjeçare pasi u prek nga meningjiti humbi jetën.
Klan News