Pirro Vengu ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ku kryefjalë ishte rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ku kryefjala ishte rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate, në dritën e negociatave për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës. Nën impulsin e ri amerikan, pritshmëritë janë të larta për një përpjekje më të madhe të vendeve evropiane në forcimin e kapaciteteve luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit.”

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministri Vengu thotë se ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë që shtimin e burimeve financiare për mbrojtjen ta përkthejnë në më shumë kapacitete operacionale, ringjallje të industrisë ushtarake dhe infrastrukturë në mbështetje të modernizimit të forcave tona dhe në funksion të Aleancës.

Gjithashtu, Vengu thotë se ka theksuar nevojën për vigjilencë të shtuar të Aleancës në Evropën Juglindore, veçanërisht në raport me Kosovën, si dhe në zonën Adriatiko-Joniane, ku planet aleate meritojnë të përditësohen me veprime të reja strategjike përballë sfidave të shumta hibride./tvklan.al